Zgjedhjet e përsëritura brenda një viti: Ku e vendos ky fenomen Kosovën?

Kosova, me dy zgjedhje parlamentare dhe dy raunde në zgjedhjet lokale brenda një viti, hyn në një grup shumë të rrallë shtetesh me zgjedhje të përsëritura.

Fenomeni i mbajtjes së më shumë se një palë zgjedhjeve brenda një viti kalendarik është relativisht i pazakonshëm në demokracitë moderne dhe zakonisht lidhet me bllokime të formimit të qeverisë e fragmentim të skenës partiake. Rasti i Kosovës, me dy palë zgjedhje parlamentare dhe dy raunde të zgjedhjeve lokale brenda një viti, e vendos në një grup shumë të kufizuar shtetesh që kanë kaluar përvoja të ngjashme.

Në Kosovë, qytetarët kanë votuar më 9 shkurt për zgjedhjet parlamentare, duke zgjedhur përbërjen e Kuvendit. Në vjeshtë, më 12 shtator, është mbajtur cikli i rregullt i zgjedhjeve lokale për komunat, ndërsa më 9 tetor është zhvilluar raundi i dytë në ato komuna ku kandidati fitues nuk është përcaktuar në raundin e parë. Pavarësisht zgjedhjeve të shkurtit, përpjekjet për formimin e qeverisë në nivel qendror kanë dështuar, gjë që ka sjellë vendimin për zgjedhje të reja parlamentare më 28 dhjetor.

Kjo do të thotë se brenda një viti të vetëm, qytetarët kanë dal katër herë në votime: dy herë për të zgjedhur Kuvendin dhe dy herë për të zgjedhur pushtetin lokal. Ky kishte qenë një vit me intensitet të lartë elektoral, si për qytetarët ashtu edhe për institucionet që menaxhojnë procesin zgjedhor.

Për ta kuptuar sa i rrallë është ky fenomen, më pak se 10 raste janë të dokumentuara ku shtetet kanë pasur kaq shumë zgjedhje brenda një viti.

Bullgaria në vitin 2021 konsiderohet shpesh si shembulli më ekstrem i viteve të fundit, ata mbajtën zgjedhje parlamentare në prill, zgjedhje të parakohshme sërish në korrik, dhe një palë të treta zgjedhjesh parlamentare më 14 nëntor. Në të tri rastet, arsyeja ishte e njëjtë, asnjë prej konfigurimeve të dala nga zgjedhjet nuk arrinte të prodhonte një koalicion qeverisës të qëndrueshëm. Fragmentimi i skenës partiake, dalja në skenë e listave të reja proteste dhe mungesa e kompromisit bënë që zgjedhjet të përsëriteshin tri herë brenda një viti kalendarik, duke e vendosur Bullgarinë në krye të listës për numrin e zgjedhjeve parlamentare brenda një periudhe kaq të shkurtër.

Izraeli paraqet një rast të ngjashëm në një hark kohor pak më të gjatë se një vit kalendarik, por brenda 12 muajve. Zgjedhjet për parlamentin u mbajtën në prill 2019, më pas u përsëritën në shtator 2019 dhe për të tretën herë në mars 2020. Edhe këtu, faktori përcaktues ishte paaftësia e akterëve politikë për të krijuar një shumicë qeverisëse të qëndrueshme.

Më pas, Spanja në vitin 2019 është një tjetër shembull i dy zgjedhjeve të përgjithshme brenda një viti. Zgjedhjet e prillit prodhuan një parlament ku Partia Socialiste e Punës së Spanjës (PSOE) doli forcë e parë, por negociatat për koalicione me forca të tjera të majta dhe rajonale nuk dhanë rezultat. Kjo çoi në shpërndarjen e parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja në nëntor të po atij viti. Në sfond, qytetarët spanjollë votuan në të njëjtin vit edhe për Parlamentin Evropian, si dhe për zgjedhje lokale e rajonale, duke e rritur numrin e përgjithshëm të ngjarjeve elektorale, por formalisht duke pasur dy palë zgjedhje të përgjithshme në nivel kombëtar.

Greqia në vitin 2012 përjetoi gjithashtu dy zgjedhje parlamentare në një periudhë shumë të shkurtër. Zgjedhjet e majit prodhuan një parlament të fragmentuar, në të cilin partitë tradicionale pro-marrëveshjeve me kreditorët ndërkombëtarë kishin humbur shumë mbështetje, ndërsa forcat kundër masave të kursimit ishin rritur ndjeshëm. Negociatat për formimin e qeverisë dështuan, gjë që imponoi mbajtjen e zgjedhjeve të dyta në qershor. Greqia është kështu një shembull ku zgjedhjet e përsëritura lidhen ngushtë me një krizë të thellë ekonomike dhe me dilema strategjike mbi drejtimin e vendit brenda eurozonës.

Në Turqi, në vitin 2015 ndodhi një skenar i ngjashëm me dy palë zgjedhje të përgjithshme. Në qershor, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim humbi shumicën absolute që kishte mbajtur për shumë vite, duke prodhuar një parlament të varur ku asnjë kombinim i partive nuk arriti të formojë qeveri. Pasi bisedimet për koalicion dështuan, u thirrën zgjedhje të reja në nëntor të atij viti, të cilat ndryshuan raportet e forcave dhe i rikthyen partisë në pushtet një shumicë më të qartë. Edhe ky rast tregon se zgjedhjet e dyfishta përdoren shpesh si mekanizëm për të tejkaluar pasigurinë e rezultateve të para dhe për të rikonfiguruar skenën politike.

Në këtë sfond krahasues, pozicioni i Kosovës bëhet më i qartë. Sa i përket numrit të zgjedhjeve parlamentare brenda një viti, Kosova është në të njëjtin grup me vendet që kanë shkuar dy herë në zgjedhje të përgjithshme në një vit, si Spanja, Greqia e Turqia. Bullgaria dhe Izraeli dallohen për nga intensiteti pasi arrijnë në tre cikle parlamentare në periudha shumë të shkurtra.

Megjithatë, nëse merret parasysh numri total i ngjarjeve elektorale, dy palë zgjedhje parlamentare dhe dy raunde të zgjedhjeve lokale, atëherë, Kosova duket se e mban rekordin.