Ç’u bë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës?

Që nga maji i vitit 2022 Kosova po bën përpjekje për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, por as viti 2025 s’e gjeti Kosovën të anëtarësuar në këtë organizëm ndërkombëtare.

Çështja e Anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk ishte në agjendën e takimit të përvitshëm të Komitetit të Ministrave që u mbajt më 13 dhe 14 maj në Luksemburg. Pra as në vitin 2025 Kosova nuk arriti të anëtarësohet në këtë organizëm ndërkombëtare.

Në maj të këtij viti në tentim për të arsyetuar këtë dështim, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, mos-anëtarësimin e Kosovës e lidhi me mos-konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe rrjedhimisht mos-formimin e institucioneve të reja.

“Po ja bëjmë shumë të lehtë gjithkujt që nuk dëshiron të na mbështesë në anëtarësimin tonë në Këshillin e Evropës të mos e trajtojë këtë temë në këtë fazë. Ata që janë hezitues ose kundër ata e kanë shumë të lehtë në këtë fazë të mos na e procedojnë kërkesën dhe të na shtyjnë për më vonë”, kishte thënë ajo në një konferencë për media, pasi Kuvendi i Kosovës kishte dështuar së konstituari për të 13-tën herë me radhë.

Ndryshe Gërvalla në qershor të vitit 2024 kishte deklaruar se Kosova do të jetë ndër shtetet që më së shpejti do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press, kryediplomatja asokohe ndërsa kishte komentuar mundësinë e humbur për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare kishte theksuar se “edhe sikur në majin e ardhshëm të anëtarësohemi do të jemi ndër shtetet që më së shpejti është anëtarësuar në Këshillin e Evropës nga të gjitha shtetet që janë anëtarësuar pas viteve të 90-ta”.

Kjo deklaratë e Gërvallës ishte plotësisht e pavërtetë.

Mali i Zi, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut, ishin anëtarësuar në Këshillin e Evropës shumë më shpejtë sesa Kosova. Mali i Zi ishte bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës për vetëm 11 muaj.

Podgorica zyrtare kishte dorëzuar kërkesën e saj për anëtarësim më 6 qershor të vitit 2006. Ajo u bë anëtare e plotë më 11 maj të vitit 2007. Për një kohë relativisht të shkurtër edhe Slloveniaishte bërë anëtare e plotë e kësaj organizate. Lubjana zyrtare kishte aplikuar për anëtarësim më 29 janar të vitit 1992 dhe vetëm pas1 viti e 4 muaji– 14 maj 1993 – kishte fituar statusin e anëtares së plotë në KiE.
Ndërkohë për 2 vjet e 5 muaj Maqedonia e Veriut kishte fituar të drejtën për të qenë anëtare e plotë e KiE-së.

Që nga maji i vitit 2022 Kosova po bën përpjekje për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës – një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Ajo arriti të kaloi dy faza me sukses, por kjo nuk ishte e mjaftueshme sa për t’u bërë anëtare e plotë.

Më 27 mars 2024, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e Dora Bakoyannis-it, raportuese e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën.

Raporti pozitiv u parapri nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i kthyer 24 hektarë tokë dhe pyje Manastirit Ortodoks të Deçanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës urdhëroi Agjencionin Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Sipas vlerësimit të tij asokohe Qeveria ishte para dy opsioneve – ose të plotësoi këtë kusht duke u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ose të ngelë jashtë saj.

Kurti atëbotë kishte potencuar se nuk i pëlqen vendimi në fjalë, por se nuk ka mjete ligjore e juridike për të anuluar vendimin në fjalë.

Rreth tre javë më pas më 16 prill shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Para kësaj arritjeje krerët institucional të Kosovës (Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti) paraprakisht përmes një letre dërguar raportueses Dora Bakoyannis u zotuan se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe themelimin e Asociacionit.

Pas votimit me sukses çështja kaloi në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhej të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhej anëtarja më e re e organizatës.

E gjithë problemi për Kosovën filloi në këtë fazë.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësoi me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.