Analisti shqiptar lavdëron Hamzën: Është një mendje e qetë dhe racionale në një mjedis konfliktual

Analisti shqiptar Ermal Mulosmani e ka lavdëruar kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

Ai ka vlerësuar se i pari i PDK-së është ndryshe nga liderët e partive tjera në Kosovë.

Në kohen e një polarizimi të madh në Kosovë, ka thënë ai, Hamza paraqitet si i vetmi zë i arsyeshëm.

“Fjala e Kryetarit të PDK-së Bedri Hamza më la mbresa shumë të mira. Prej kohësh them që polarizimi politik në Kosovë është ekstrem, ndarja e skajshme, fjalori kalon çdo lloj kufiri etik, komentatorët politikë janë si prijës të skalioneve të para që tërheqin pas tyre ushtrinë pafund të ndjekësve. Një vend kaq i vogël me ndarje kaq të madhe! Duhet kurajo e madhe të jesh ndryshe sepse do dukesh sikur je “qyqan”, “larg pritshmërive të elektoratit”, “teknokrat”, “mungon lidershipi” etj etj. Polarizimi dhe dikotomia mirë/këqinj nuk do relaks, do ndërsymje, sulme verbale, xixa në sy e shkrepëtima në fjalë. Edhe Abdixhiku që është natyrë e qetë në pamje të parë përpiqet herë pas here të bëhet ai që s’është: të bërtasë, sulmojë verbalisht e të bëjë deklarata patetike mosbashkëpunimi. Bën atë që elektorati pret prej tij: Ti sulmojë kundërshtarët dhe ti mbajë të karikuar”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facbook”.

Ai ka vlerësuar që sa më shumë njerëz të tillë të ketë Kosova aq më mirë do të jetë.

“Ndërsa z. Hamza tha një gjë krejt tjetër. Me një stil të avashtë por të kuptueshëm, paqësor, ulës tensionesh, dha premtimin që nuk do ketë fjalime të polarizuara por vetëm shpalosje programesh në përpjekje për të qenë sa më afër njerëzve. Kjo ishte gjëja e parë që më bëri përshtypje. Ishte diçka ndryshe nga ajo që ndodhte deri tani në Kosovë. Gjëja e dytë e rëndësishme ishte heqja e vijave të kuqe për bashkëpunim me Partitë e tjera. Kurajo e madhe për ta thënë qysh para zgjedhjeve! Ishte për tu përshëndetur. Kosova ka nevojë për një qeveri koalicioni me mbështetje të fortë parlamentare jo për një Qeveri që vendos një njeri. Bedriu është një mendje e qetë dhe racionale në një mjedis acid dhe konfliktual. Sa më shumë njerëz të tillë, aq më mirë do të jetë Kosova”, ka shkruar Mulosmani.