Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, pas shpërndarjes së Kuvendit vlerëson se 9 muaj pa bërë asnjë punë ishin të vështirë.
“Ka qenë periudhë e vështirë dhe e gjatë – e them sinqerisht se po nisëm nga vetja se nganjëherë më shumë të lodhë mospuna sesa puna – këta 9 muaj ka qenë të tillë. Në pamundësi për tu angazhuar në atë qe jemi votuar nga qytetarët – ka qenë periudhë e vështirë por kanë qenë rrethanat që s’janë varë nga ne”, tha Demaku.
Demaku u shpreh se zgjedhjet mund të ishin shmangur, por sipas tij Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte asnjëherë serioze në bashkëpunim me partitë tjera.
“Patjetër që zgjedhjet kanë mundur të shmangen dhe janë dy arsye të fuqishme që e forcojnë këtë mendim e para duke u kthyer në të kaluarën tonë në të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur edhe pse partitë politike kanë pasur numër më të vogël të numrave kanë arritur që të krijojnë institucionet e vendit është e çuditshme që forca e parë politikë që doli me një numër kaq të madh të deputetëve të mos arrijë të krijojë institucionet dhe është e rëndë dëmi që iu bë vendit”., tha ai në Dukagjini.
“Kjo po tregon qartë që këta (VV) nuk e kuptojnë përgjegjësinë që ua jep qytetari. VV-ja nuk ka treguar seriozitet të bashkëpunimit, kanë qenë lojëra dhe për të krijuar institucione duhet të jesh serioz e këtë nuk e kanë bërë. Vetëvendosje nuk dëshiroi që me askënd të krijojë institucionet dhe të gjithë partitë i goditi në mënyra brutale e të ulëta e kjo nuk tregon gatishmëri për bashkëpunim. Dy herë dështuan në krijimin e Qeverisë pasi nuk bënë asgjë ani se i patën 48 numra”, u shpreh Demaku.











