Komisionarja Kos u kërkon vendeve të Ballkanit të punojnë më shumë në sigurimin e fondeve nga Plani i Rritjes

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka përsëritur të premten në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, se Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj dhe që blloku evropian ka gabuar në të kaluarën që nuk ka punuar në këtë drejtim.

“Shtëpia e juaj, Evropa po ju pret. Ju jeni pjesë e Evropës, ne vetëm duhet ta bëjmë këtë me procedurë institucionale”, ka thënë Kos, në një tryezë të përbashkët diskutimi mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe saj, lidhur me Planin e Rritjes së BE-së për këtë rajon.

Pjesë e takimit, përveç Ramës, kanë qenë liderë edhe nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Kos ka rikujtuar se Plani i Rritjes ka dy vite që është formalizuar dhe që kanë mbetur dhe dy vjet për ta finalizuar ndarjen e gjithë fondeve të parapara në vlerë prej 6 miliardë eurosh.

Prej tyre, 2 miliardë euro janë fonde të pakthyeshme, ndërsa 4 miliardët tjerë jepen në formën e kredive të volitshme.

Përmes kësaj pakete, BE-ja synon t’i përafrojë ekonomitë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.

Duke folur në këtë drejtim, ajo e ka përmendur se dy shtete ende nuk e kanë nisur procesin e reformave, dhe kjo duket se ka qenë referencë për Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, andaj ka bërë thirrje që të punojnë më shumë.

“Kemi një afat veçanërisht të rëndësishëm që po afron. Në qershor do të kemi nga rundi i dytë i raportimit, skadimin e periudhës njëvjeçare të pritjes së mëtejshme për reformat e papërmbushura dhe rrezikohen pothuajse 300 milionë euro të destinuara për vendet tuaja. Këto janë fonde prej të cilave duhet të përfitojnë qytetarët tuaj, me të cilat mund të ndërtohen linja tramvaji, rrugë, shkolla, spitale”, ka thënë mes tjerash Kos, duke iu drejtuar të gjitha vendeve.

Kosova – ndonëse ka qenë ndër vendet e para në rajon në përpilimin e reformave që do t’i kryejë – nuk ka arritur të ratifikojë një marrëveshje ndërkombëtare me BE-në në Kuvend që do të mundësonte lëshimin e fondeve.

Partitë politike e kanë pasur të pamundur të gjejnë konsensus, prandaj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpërndarë Kuvendin një ditë më parë dhe ka bërë të ditur se zgjedhjet e reja do të mbahen më 28 dhjetor.

Gjatë tryezës me Kosin në Tiranë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi i tij ka ngelur prapa “jo nga zgjedhja, por nga rrethanat”.

Ai është shprehur i bindur se zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit “do të rezultojnë në një Qeveri të re që do të ecë shpejt në zbatimin e Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes”.

Nga Plani i Rritjes i BE-së, Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka nisur diskutimin të premten, në cilësinë e nikoqirit, duke thënë se Ballkani Perëndimor ka vendosur të ecë përpara, së bashku me Planin e Rritjes, si udhërrëfyes të bashkëndarë.

“Një udhërrëfyes jo drejt Brukselit, por drejt lirive dhe mundësive të tregut të përbashkët evropian, të cilit qytetarët tanë i përkasin prej historisë, gjeografisë dhe fatit”.

Sipas tij, kur mundësitë të rriten në Ballkan, Evropa do të bëhet një destinacion bashkëpunimi, jo një rrugë ikjeje.

“Ballkani Perëndimor nuk është pika e dobët e Evropës, por mundësia e re”, ka thënë mes tjerash Rama.

Rama i është drejtuar Komisionares Kos, duke thënë se rajoni nuk po lutet, edhe as nuk po kërkon lëmoshë që të anëtarësohet në BE.

“Për sigurinë e Evropës, zgjidhni ballkanasit, se mund të jemi truproja të Evropës, dhe ashtu Evropa do të jetë shumë më e qetë”.

Në raportet e Progresit, të përpiluara nga BE-ja për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, është theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparim të madh në rrugën drejt BE-së, dhe që mund të jetë i arritshëm synimi për anëtarësim në bllok deri më 2030.

Për Serbinë ka pasur kritika, ndërsa Kosovës i janë bërë një varg rekomandimesh, ndonëse ajo as nuk e ka statusin e vendit kandidat, ani pse ka aplikuar më 2022./REL