Komuna e Prishtinës e kërkon 1/12 e buxhetit të dhjetorit më herët për t’i paguar faturat

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati me anë të një postimi ka bërë të ditur që komuna e Prishtinës sot ka bërë kërkesë në Thesar që t’u bëhet alokim i parakohshëm i 1/12-tës së buxhetit të paraparë për muajin dhjetor.

Buxhetin e dhjetorit, komuna e Prishtinës do ta shpenzoj më herët, që t’i paguaj disa fatura

Megjithatë, komuna e Prishtinës do të mbetet pa buxhet fare në muajin dhjetor, ka paralajmëruar ministri Murati në postimin e tij.

Postimi i plotë:

Komuna e Prishtinës sot ka bërë kërkesë në Thesar që t’u bëhet alokim i parakohshëm i 1/12-tës së buxhetit të paraparë për muajin dhjetor.

Pra, buxhetin që do duhej të shpenzohet në dhjetor, ta kenë mundësinë ta shpenzojnë më herët në muajin nëntor, me qëllim që të paguajnë disa prej faturave që janë grumbulluar, përfshi edhe ato të energjisë elektrike.

Megjithëse kjo nuk e zgjidh problemin por vetëm e vonon, sepse pastaj dhjetori mbetet pa buxhet, marrë parasysh situatën Thesari do të bëjë këtë alokim të parakohshëm në mënyrë që një pjesë e faturave të paguhen tash.

Zgjidhja e problemit do të ishte nëse pardje LDK-ja do ta votonin së paku buxhetin e Prishtinës, dhe pastaj fare s’do të kishte nevojë për këso improvizime.

Mirëpo në vend të zgjidhjes, Lumir Abdixhiku me LDK-në vendosën të mos vinin fare në seancë pardje.

Për më keq, dje u munduan që të keqpërdorin edhe prindërit e fëmijëve në çerdhe duke u munduar që t’ia hedhin fajin Ministrisë së Financave, për buxhetin të cilin vetë LDK-ja nuk e votoi.