Policia e Kosovës ka kapur 120 kilogramë drogë në një autobus, teksa shoferi është arrestuar tashmë. Aksioni është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet me dije se i dyshuari B.K është ndaluar në rajonin e Prishtinës, dhe në autobusin që po e drejtonte, i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës narkotike, që dyshohet të jetë rreth 120 kg.
Ai është ndaluar për 48 orë.
Me detaje të tjera për rastin ka dalë Dogana e Kosovës.
Në njoftim bëhet e ditur se autobusi ku është sekuestruar sasia e narkotikëve po udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës dhe në të nuk kishte pasagjerë.
Gjatë kontrollit, përfshirë përdorimin e qenve nuhatës – të dhuruar nga organizata gjermane GIZ – si dhe pajisjeve profesionale të ofruara nga programet e Qeverisë së ShBA-së, është zbuluar një sasi prej rreth 120 kilogramësh narkotikë të llojit kanabis, bëhet e ditur në njoftim.
“Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit, kanë ndalur një autobus në Autostradën “Ibrahim Rugova”, i cili udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës pa pasagjerë. Mjeti është shoqëruar për kontroll të detajuar në objektet e Doganës në Prishtinë.
Gjatë kontrollit, përfshirë përdorimin e qenve nuhatës – të dhuruar nga organizata gjermane GIZ – si dhe pajisjeve profesionale të ofruara nga programet e Qeverisë së ShBA-së, është zbuluar një sasi prej rreth 120 kilogramësh narkotikë të llojit kanabis.
Ky zbulim përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme në përpjekjet e Doganës së Kosovës për të mbrojtur shoqërinë dhe për të parandaluar trafikun e substancave të ndaluara. Ai vjen vetëm pak javë pas një rasti tjetër të përmasave të ngjashme, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Rasti i sotëm i është dorëzuar njësive Antidrogë të Policisë së Kosovës për procedura dhe veprime të mëtejshme penale.
Doganat e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke rritur bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet në njoftimin e Doganës.











