BB: Rënia dhe plakja e popullsisë sfidë për qëndrueshmërinë fiskale, prioritet mbledhja e taksave

Në valën e një paqeje fiskale që qeveria po diskuton gjerësisht në këtë paketë fiskale duket se institucionet ndërkombëtare financiare vënë theksin në anën tjetër të peshores atë të mbledhjes së taksave dhe forcimit të masave për pajtueshmërinë fiskale.

Banka Botërore prezantoi rishikimin e financave publike në Shqipëri, një raport që vë theksin tek forcimi i qëndrueshmërisë fiskale për një ekonomi me rezistente dhe zhvillim njerëzor. Raporti ndalet në një sërë aspektesh por lidhur me navigimin e risqeve, sigurimin e rritjes dhe peizazhin makro fiskal.

Konkretisht BB shprehet se Shqipëria ka arritur stabilitet makroekonomik, por që të ruhet rritja afatgjatë duhen adresuar sfidat strukturore të vazhdueshme. Rritja mesatare vjetore e PBB-së arriti në 3.2 për qind gjatë periudhës 2014– 2024, e nxitur kryesisht nga konsumi i brendshëm, turizmi dhe ndërtimi, ku rol kyç në vitet e fundit kanë luajtur rindërtimi pas tërmetit dhe investimet e huaja.

“Varfëria është reduktuar me 20 pikë përqindjeje, ndonëse ndikimi rishpërndarës i politikës fiskale mbetet relativisht i dobët. Pabarazitë gjinore dhe papunësia e lartë tek të rinjtë vijojnë të jenë të pranishme. Me ritmin aktual të reformave, pritet që rritja vjetore të ngadalësohet në periudhë afatgjatë, duke arritur në vetëm 1.5 për qind në 2050, për shkak të rënies së numrit të popullsisë në moshë pune, produktivitetit dhe kapitalit njerëzor të dobët, si dhe normës rënëse të kthimit nga akumulimi i kapitalit” thuhet në raport.

Më poshtë disa pjesë nga raporti.

Disiplina fiskale

Ndërsa respektimi i disiplinës fiskale e ka mbajtur nën kontroll borxhin publik historikisht të lartë të Shqipërisë dhe e ka bërë të qëndrueshëm pozicionin fiskal, vendi mbetet i ekspozuar ndaj rreziqeve makroekonomike dhe atyre të lidhura me monedhën. Shqipëria shpenzon më pak në krahasim me vendet e tjera, mbledh më pak të ardhura dhe ka deficite fiskale në nivele të ngjashme, por megjithatë ka pasur vazhdimisht një borxh të lartë.

Një qëndrim ekspansionist i politikës fiskale, i ndërmarrë si një masë stabilizimi ndaj krizës financiare globale të vitit 2008 – i kombinuar me probleme të vazhdueshme në sektorin e energjisë dhe kontrolle të dobëta financiare –kontribuuan në rritjen e borxhit dhe akumulimit të detyrimeve të prapambetura deri në vitin 2015.

Që atëherë, dhe pas çdo goditjeje, Shqipëria ka rindërtuar amortizatorë të fuqishëm fiskalë që mundësuan reagime efektive ndaj tërmetit të vitit 2019, goditjes nga COVID-19 në vitin 2020 dhe krizës energjetike në vitin 2022.

Disiplina fiskale, përfshirë miratimin e disa rregullave fiskale që nga viti 2016, ka luajtur një rol kritik në ngushtimin e deficitit fiskal. Si rezultat, borxhi publik ra në 54 për qind të PBB-së në vitin 2024. Megjithëse borxhi mbetet i ndjeshëm ndaj rreziqeve, pozicioni fiskal është i favorshëm për qëndrueshmërinë dhe rregullat fiskale pritet të vazhdojnë të zbusin borxhin publik në periudhë afatmesme.

Rreziqet fiskale

Rreziqet fiskale burojnë nga presionet demografike, detyrimet kontigjente, ndikimet klimatike dhe investimet publike ineficiente – të përkeqësuara nga politika rishpërndarëse më të dobëta krahasuar me ato të vendeve të tjera të ngjashme.

Rënia dhe plakja e popullsisë së Shqipërisë paraqet sfida për ofertën e fuqisë punëtore dhe qëndrueshmërinë fiskale duke rritur kostot e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor. Detyrimet kontigjente që rrjedhin nga ndërmarrjet shtetërore (NSH-të) dhe partneritetet publiko-private (PPP-të) – veçanërisht në sektorët e energjisë dhe transportit – shtojnë rreziqet fiskale. Ndryshimet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet dhe thatësirat e shpeshta, gjithashtu imponojnë kosto të larta fiskale. Efikasiteti i investimeve publike mbetet një shqetësim i vazhdueshëm.

Korniza fiskale

Korniza aktuale fiskale nuk arrin të adresojë rreziqet fiskale në zhvillim dhe të përshpejtojë konvergjencën e të ardhurave me BE-në. Në kontekstin e stabilitetit makroekonomik, politika fiskale duhet të sigurojë orientimin e burimeve drejt fushave prioritare, rritjen e të ardhurave në mënyrë efektive nga pikëpamja e kostos dhe me ndikim sa më të ulët shtrembërues, si dhe mbajtjen e rezervave të mjaftueshme fiskalë ne kontekstin e rreziqeve në rritje.

Në periudhë afatshkurtër, prioritetet duhet të përfshijnë përmirësimin e mbledhjes së taksave dhe pajtueshmërisë tatimore për të rritur të ardhurat; rritjen e alokimeve për sektorët e kapitalit njerëzor me qëllim forcimin e produktivitetit dhe rritjes ekonomike; forcimin e efikasitetit dhe transparencës së shpenzimeve në PPP-të; përmirësimin e qeverisjes dhe llogaridhënies së ndërmarrjeve shtetërore; përmirësimin e cilësisë së investimeve publike; dhe forcimin e menaxhimit të borxhit.

Në periudhë afatmesme, Shqipërisë do t’i duhet të rrisë shpenzimet në sektorët që nxisin rritjen ekonomike, të forcojë përshtatjen klimatike dhe gatishmërinë ndaj fatkeqësive natyrore, si dhe të përmirësojë mbrojtjen sociale – duke ruajtur njëkohësisht dhe qëndrueshmërinë fiskale të sistemit të pensioneve. Krijimi i një këshilli fiskal të pavarur do të forconte besueshmërinë dhe zbatimin e rregullave fiskale të Shqipërisë.