Në Podujevën e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, rregullat e prokurimit publik po dalin të kenë interpretim “elastik”, pasi kjo komunë po përdor standarde të dyfishta në tender, shkruan Demokracia.com.
Në çdo sistem prokurimi ka një parim themelor se vlera e parashikuar e kontratës është kufiri ligjor që autoriteti kontraktues nuk guxon ta tejkalojë. Kjo nuk është rekomandim apo udhëzim teknik, por një detyrim juridik, i përcaktuar qartë në Ligjin e Prokurimit dhe në rregulloret përkatëse. Nëse ofertat janë më të shtrenjta se buxheti i planifikuar, procedura duhet të anulohet dhe të rifillojë me buxhet të ri. Ky është një nga mekanizmat kryesorë për të mbrojtur paranë publike dhe për të garantuar barazi midis operatorëve ekonomikë.
Por në Komunën e Podujevës po ndodh e kundërta.
Në disa tenderë, kur oferta del pak mbi vlerën e parashikuar, kompanitë eleminohen me arsyetimin “tejkalim i buxhetit”.
Ndërsa në raste të tjera, kur oferta shkon qindra mijëra euro mbi vlerën e planifikuar, procedura nuk anulohet, tenderi vazhdon, dhe kontrata madje shkon drejt nënshkrimit.
Në vijim mund të shohim dy histori të njëpasnjëshme se si një tender ku edhe disa mijëra euro të tepërta u konsideruan shkelje e ligjit, dhe një tender tjetër ku rreth 350 mijë euro tejkalim nuk u panë si problem. Pikërisht këto dy shembuj tregojnë se ligji përdoret me selektivitet, duke cenuar konkurrencën dhe buxhetin.
Rasti i parë: Mëshqerat
Tenderi “Furnizim për blegtori – Furnizim me mëshqera” u shpall më 18 qershor 2025 dhe u hap më 8 korrik. Kriteri: çmimi më i ulët. Vlera e parashikuar: 429,300 euro.

Në garë ishin dy kompani:
-
“Meli” SH.P.K – 428,004 euro (vetëm 700 euro më poshtë se vlera e parashikuar)
-
“Apetiti” – 435,004 euro (rreth 6 mijë euro më shumë)
Komuna shpërbleu “Melinin”, edhe pse sipas ankesës së “Apetitit”, kompania fituese nuk i kishte përmbushur kushtet e dosjes së tenderit. Ankesa është tashmë në OSHP.

“Apetiti” thekson se komuna mund t’i kishte shtuar 6 mijë euro dhe ta shpallte atë fitues, pasi oferta ishte e përgjegjshme dhe plotësonte kërkesat.
Arsyeja e eleminimit: “Apetiti” u eleminua me arsyetimin se kishte ofertuar mbi përshkrimin e vlerës së kontratës, jo sepse ishte e pa përgjegjshme apo çmimi i saj ishte shumë i lartë.

Pra, Komuna vendosi të aplikojë Nenin 62 të Ligjit të Prokurimit, i cili përcakton se autoriteti kontraktues mund të përfundojë aktivitetin e prokurimit vetëm nëse të gjitha ofertat e përgjegjshme tejkalojnë në mënyrë substanciale buxhetin e parashikuar.
Rasti i dytë: Kur s’ka konkurrencë – çmimi fluturon 350 mijë euro mbi vlerë
Në tenderin “Riasfaltimi dhe rikonstruimi i rrugës 28 Nëntori në Podujevë”, ndodhi e kundërta. Vetëm një grup operatorësh parashtroi ofertë.
Vlera e parashikuar ishte 1,080,000 euro.

Oferta e vetme 1,373,721.84 euro (350 mijë euro mbi parashikimin), e cila u rekomandua për kontratë. Pra nuk u eleminua për tejkalim të buxhetit dhe po ashtue të anulohet e gjithë procedura.
Oferta ishte nga grupi: Haxha Kom SH.P.K.; N.N.SH. ËORLD MEDIUM; NDËRTIMI ING SH.P.K.; R & Rukolli.

Neni 62 i Ligjit të Prokurimit flet për “Përfundimin e Aktivitetit të Prokurimit” dhe aty është caktuar qartë se në këtë rast duhet të anulohet procedura e prokurimit.
- Autoriteti kontraktues mund të përfundojë atë aktivitet të prokurimit, i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: “1.2. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në pikën 1.2 të nenit 62.

Edhe Rregullorja nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, neni 43 flet për “Ndërprerjen e procedurave të prokurimit”.
“43.7 Procedura e prokurimit pas hapjes së ofertave mund të anulohet për arsyen e mëposhtme:
- të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e AK. Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”.
Por në Podujevë, rregullat duket se vlejnë sipas motit. Tenderi për mëshqera u ruajt brenda vlerës, por ai për rrugën po ecën përpara me 350 mijë euro mbi parashikim, dhe kontrata pritet të nënshkruhet më 21 nëntor 2025 (sot), sikur gjithçka të ishte sipas ligjit.
Kjo nuk është hera e parë që e bënë prokurimi i Podujevës. Demokracia.com ka raportuar edhe më herët raste kur në disa raste është tejkaluar përshkimi i vlerës së kontratës, dhe se shpesh operatorë me çmim më të ulët janë eliminuar, ndërsa fitues është shpallur oferta më e lartë dhe më pas janë lidhur kontratat, mbi buxhetin e zotuar për atë aktivitet të prokurimit.
Pse ndodh kjo praktikë?
Në pamje të parë, tejkalimi mund të duket si keqplanifikim financiar, por realiteti është më kompleks. Kur komuna publikon aktivitetin e prokurimit, operatorët fillimisht analizojnë projektin, parametrat teknikë dhe kërkesat e dosjes. Shpesh, operatorët me çmime më të ulëta heqin dorë sepse kërkesat nuk u përshtaten ose janë shumë specifike për kapacitetet e tyre. Në këto raste, mbeten vetëm operatorë me oferta më të larta, që automatikisht tejkalojnë parashikimin fillestar.
Komuna mund të zgjedhë të mos anulojë procedurat jo sepse nuk njeh kufirin ligjor, por për të mos humbur muaj të tërë në ribotimin e tenderit, duke rrezikuar realizimin e projekteve kapitale brenda vitit. Pra, ndonëse në letër tejkalimi nuk lejohet, në praktikë komuna përballet me realitete ekonomike dhe teknike, që e shtyjnë drejt kontraktimit me çmime më të larta se parashikimi fillestar.
Madje, praktika e tenderit “Riasfaltimi dhe rikonstruimi i rrugës 28 Nëntori në Podujevë”, i cili pritet të lidhet sot me vlerë mbi 1.3 milionë euro, ndonëse ishte planifikuar rreth 1 milion euro, ngre dyshime se që në start mund të ketë qenë i manipuluar. Pse?
Për këtë tender, Komuna ka lejuar një garë prej vetëm 20 ditësh. Tenderi është hapur më datë 5 shtator 2025, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave ka qenë 25 shtatori pra vetëm 20 ditë kohë që kompanitë të përgatisin dhe dorëzojnë të gjithë dokumentacionin, bazuar në kërkesat e dosjes së tenderit.

Ndërkohë, Neni 44 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton qartë afatet për pranimin e ofertave në kontratat publike të mëdha, duke specifikuar që për kontratat e mëdha afati duhet të jetë jo më pak se 40 ditë.

Pra, ky është një standard i dyfishtë nga komuna e Podujevws edhe nese e shohim në rapor me institucionet qeveritare. Kjo ngase në vitin e kalaur, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që drejtohej nga Rozeta Hajdari, kishte shpallur tre tenderë të ndryshëm për furnizim me rezerva shtetërore. Përmes tyre do të blihej grurë, produkte të ndryshme ushqimore, batanije e thasë për fjetje.


Dy nga tenderët kanë dështuar. Bëhet fjalë për tenderin për furnizim me grurë dhe me gjëra ushqimore. Njëri edhe pse ka pasur ofertë të përgjegjshme ka dështuar, sepse ka pasur ofertë vetëm për 10 mijë euro më të shtrejtë sesa vlera e parashikuar e kontratës.
Ministria e Tregtisë, siç shihet e kishte eliminuar ofertën e kompanisë “Beni Dona”, që është në pronësi të biznesmenit Ragip Mustafa, i afërt me LDK-në.
Edhe Ministria e Arsimit kishte dështuar tenderin për furnizim me libra, anise ishte me negocim, me arsyetimin se ofertat ishin më të larta sesa parashikimi i ministrisë, MASHT ka mundur të zhvillojë negociata për ta ulur çmimin. /Demokracia.com/












