Supremja udhëzon PZAP-në që të ketë rinumërim në disa vendvotime në Istog

Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e kthyer çështjen për rivendosje në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Gashi ishte ankuar fillimisht në PZAP, duke kërkuar rinumërimin e votave dhe verifikimin e materialit zgjedhor në disa vendvotime të caktuara, mirëpo ankesa e tij ishte refuzuar si e pabazuar më 14 nëntor. Pas këtij vendimi, ai iu drejtua Gjykatës Supreme.

Supremja konstatoi se PZAP nuk ka vepruar në përputhje me vërejtjet e mëparshme të gjykatës dhe nuk ka respektuar nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i jep PZAP-së kompetencë për të urdhëruar rinumërimin e votave dhe shqyrtimin e materialit zgjedhor si pjesë e hetimeve.

Sipas Gjykatës Supreme, rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të garantuar saktësinë e rezultatit zgjedhor dhe integritetin e procesit, në pajtim me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës.

PZAP tani obligohet që, në rivendosje, të shqyrtojë përsëri të gjitha pretendimet e ankuesit, provat e dorëzuara dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme, duke siguruar që çdo votë të numërohet drejt dhe të mos devijohet vullneti i qytetarëve.