Trangujt me pesticide asgjësohen nga AUV, ishin të përgatitur për eksport në Slloveni

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) njofton opinionin publik se, përmes sistemit të alarmimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë-RASFF, ka pranuar një njoftim lidhur me zbulimin e mbetjeve të pesticidit Chlorpyrifos në tranguj të përpunuar në Mamushë, Kosovë, dhe të eksportuar në Slloveni.

Në njoftim thuhet se, AUV ka ndërmarrë masat e menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, përfshirë: identifikimin dhe bllokimin e produktit të prekur si dhe koordinimin me institucionet relevante brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF.

“Nga veprimet e ndërmarra sipas njoftimit të RASFF, është konstatuar se loti nr. 090827, në sasinë prej 2934,70 kg tranguj të prerë dhe të konservuar, ka qenë e përgatitur për eksport në Slloveni dhe si e tillë, është asgjësuar në prani të zyrtarëve të AUV-së dhe palës përkatëse, konform legjislacionit në fuqi”, bëhet e ditur në komunikatë.

AUV njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se tranguj të tillë nuk gjenden në tregun e Kosovës dhe se situata është plotësisht nën kontroll.