Turqia ka poshtëruar turistët rusë duke refuzuar t’i lejojë të zbresin në Stamboll, pasi një nga anijet më të njohura turistike që lundron përmes Detit të Zi, Astoria Grande, nuk mori leje hyrjeje në port.
Anija, e cila mbante rreth 600 pasagjerë rusë, qëndroi për disa orë në ujërat pranë Stambollit, duke u endur pa qëllim të qartë ndërsa priste vendimin e autoriteteve turke.
Pas një periudhe të gjatë pasigurie, kapiteni u detyrua të marrë vendimin e hidhur për t’u kthyer sërish drejt Socchit – duke e prishur të gjithë itinerarin e planifikuar.
Turistët kishin paguar për një udhëtim dyjavor, që përfshinte vizita në Marmaris, Antalya, Bodrum dhe Izmir, ndërsa Stambolli konsiderohej kulmi i gjithë ekskursionit. Për shumë prej tyre, kjo ishte arsyeja kryesore pse kishin zgjedhur këtë lundrim. Megjithatë, ndalesa më e rëndësishme e udhëtimit u anulua papritur dhe pa shpjegime të qarta.
Atmosfera në bord, sipas mediave ruse, ishte e tensionuar: pasagjerët kërkonin informacione, stafi përpiqej të qetësonte situatën, ndërsa kompania e lundrimit nuk kishte mundësi të jepte sqarime të menjëhershme.
Ky incident ndodh vetëm pak ditë pasi autoritetet ruse në rajonin Krasnodar penguan hyrjen e tragetit turk Seabridge në portin e Socchit, duke e kthyer atë mbrapsht. Për këtë arsye, shumë media ruse po e paraqesin situatën e Astoria Grande si një akt të mundshëm “hakmarrjeje” nga ana e Turqisë. Ndërkohë, asnjë nga palët nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare që e shpjegon vendimin.
Në fund, turistët rusë u detyruan të pranojnë realitetin e hidhur: një udhëtim i shitur si pushime luksoze mesdhetare u kthye në një lundrim të gjatë dhe të pasuksesshëm, pa mundësi për të vizituar destinacionin më të pritur të udhëtimit.











