Në takimin e sotëm të presidentes Vjosa Osmani me parti politike janë përmendur dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Pushteti aktual ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen në 28 dhjetor, ndërkaq ish-opozita ka preferuar 21 dhjetorin.
Gazeta Nacionale ka mësuar se KQZ-ja nuk ka paraqitur asnjë datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në këtë mënyrë, gjithçka mbetet në diskrecion të presidentes Osmani.
“Jo, KQZ s’ka dhënë asnjë datë. Nuk i takon KQZ-së të përfshihet në debatin mes partive politike”, ka thënë burimi i gazetës.
Gjatë ditës, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për mediat se ky institucion do të veprojë në përputhje më mandatin kushtetues.
“Organizimi edhe i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe stafin e tij, veçanërisht për faktin se aktualisht jemi në fazën përmbyllëse të administrimit të zgjedhjeve lokale. Megjithatë, KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me madatin kushtetues dhe ligjor si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, ka thënë Elezi.











