Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas diskutimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme, duke theksuar se vendimi i Presidentes është moment vendimtar për integritetin e procesit zgjedhor.
“Integriteti i zgjedhjeve fillon me përcaktimin e drejtë të datës së tyre, prandaj vendimi i presidentes Osmani ka rëndësi vendimtare,” ka deklaruar Hamza.
Ai ka theksuar se vendi ka nevojë për zgjedhje të rregullta dhe plotësisht të besueshme, duke nënvizuar se çdo kompromis që cenon integritetin e procesit është i papranueshëm.
“Vendi ynë ka nevojë për zgjedhje me integritet të plotë dhe jo për kompromise që cenojnë besimin e qytetarëve, i cili duhet të jetë mbi çdo interes politik,” ka shtuar ai.
Kryetari i PDK-së ka kërkuar që caktimi i datës së zgjedhjeve të udhëhiqet nga standardet demokratike dhe nga përgjegjësia institucionale.
“PDK-ja kërkon që vendimi për datën e zgjedhjeve të merret duke u udhëhequr nga parimet e neutralitetit institucional, transparencës dhe garantimit të një procesi zgjedhor të besueshëm dhe të drejtë,” ka deklaruar Hamza.
PDK ka theksuar se mbështet organizimin e zgjedhjeve me 21 dhjetor, duke i bërë thirrje institucioneve që ta ruajnë besimin e qytetarëve në proces.











