Anulohen të gjitha seancat planifikuar në nëntor dhe dhjetor në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Të gjitha seancat e planifikuara për muajin nëntor dhe dhjetor në gjykimin ndaj Hashim Thaçit  dhe të tjerëve janë anuluar, ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se pritet të marrin një vendim mbi hapat që do të ndërmerren më tej.

“Pas përfundimit të Konferencës për Ecurinë e Çështjes sot, ju informojmë se të gjitha seancat e caktuara më parë për nëntor dhe dhjetor në gjykimin Thaçi dhe të tjerët janë anuluar dhe janë hequr nga Kalendari i Gjykatës. Siç është thënë gjatë Konferencës për Ecurinë e Çështjes, Trupi Gjykues synon të lëshoj një vendim më vonë këtë javë në lidhje me hapat e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e lëshuar.

Wesley Clark, gjeneral i pensionuar amerikan, ishte dëshmitari i fundit që për dy ditë me radhë dëshmoi në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së bashku me ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Reporteri.net/