Cikël i pandërprerë zgjedhjesh në Kosovë

Kosova drejt zgjedhjeve të dyta parlamentare brenda vitit, në përpjekje për të zgjedhur qeverinë e re.

Për herë të dytë brenda vitit 2025, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është e detyruar t’i shpallë zgjedhjet e reja brenda 40 ditësh. Megjithatë, si datë e mundshme është përmendur 28 dhjetori, edhe për shkak të ardhjes së bashkatdhetuarëve në Kosovë.

Glauk Konjufca, mandatar i dytë për formimin e qeverisë së re të Kosovës, dështoi t’i marrë votat e nevojshme, derisa në seancën e së mërkurës u dëgjua një arsenal akuzash që më shumë ngjanin me fjalime para-elektorale sesa me një përpjekje serioze për formimin e qeverisë kosovare dhe zgjidhjen e ngërçit nëntëmujor në Kosovë.

Don Kishoti i Miguel de Cervantes shërbeu si referencë për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili në fjalimin e tij akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për krijimin e armiqve imagjinarë për t’i mbuluar dështimet.

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, vlerësoi se dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike, duke shtuar se qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin me votë.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri thirrje që Lëvizja Vetëvendosje t’i kërkojë falje qytetarëve për vonesën prej nëntë muajsh, derisa kërkoi që zgjedhjet e reja të mbahen sa më shpejt për të rikthyer stabilitetin.

Ata të Lëvizjes Vetëvendosje u ankuan se “të gjithë janë barrikaduar kundër” udhëheqësit të tyre, derisa përmend mosmiratimin e katër projektligjeve kryesore, përfshirë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Kosova është zhytur në krizë të thellë që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat u zhvilluan para pothuajse dhjetë muajsh, derisa vendi rrezikon jo vetëm regres të mëtejshëm institucional, por edhe kosto ekonomike dhe sociale.