Deficiti juridik i Haxhiut ndaj Grudës dhe fotografia “jeni me Listën Serbe”: VV në narracionin e njëjtë

  • Argumenti ‘juridik’ i saj: “Të gjithë jeni me Listën Serbe”.

Albulena Haxhiu, ish-Ministre e Drejtësisë, sot e gjeti veten në një predikament prej jo-juristeje kur Përparim Gruda, jurist dhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, konstatoi panjohuri juridike të mbarë Vetëvendosjes, parti kjo e cila leximin dhe intepretimin juridik të ligjeve dhe kushtetutës ia ka deleguar Hekuran Muratit, me zanat të ekonomistit.

Haxhiu zbriti nga karriga e Nënkryetares së Kuvendit pas deklarimit të Grudës se jurisprudenca e VV-së ka mbetur te Hekuran Murati, dhe dhe i tha “jeni me Listën Serbe”. Asaj iu bashkëngjit me piskama nga larg edhe Agim Bahtiri: “A e keni pytë Listën Serbe që keni ardh këtu?”.

Gruda pa palogjikësi e juridike të thirrjes së “seancës” së parë dhe shkeljet e Ligjit për Qeverinë, të shkruar nga vetë Vetëvendosje, dhe anomalitë kushtetuese të propozimit të projektligjeve nga një qeveri në detyrë të zgjedhur prej legjislaturës së kaluar, që vjen propozon Buxhet në një kuvendi të dalë nga tjera zgjedhje, dhe propozuesit nga poste të “ministrave të asaj qeverie” të zbresin në ulëse të deputetit dhe të votojnë për të.

“Absurde”, konstatoi Gruda, dhe tha se nëse “ndonjë jurist i pavarur, kudo”, thotë ndryshe, “e dorëzoj mandatin e deputetit”.

Por, Grudës përveç dy ‘hakmarrjeve’ të atypëratyshme se “jeni me Listën Serbe”, Haxhiu ia ruajti momentin edhe për një “foto” kur u rrëzua me votë Glauk Konjufca si mandatar i dytë për formim të qeverisë, pa i pasur votat.

Fotografia deputetët e PDK-së dorën lart kundër, dhe prapa tyre ato të Listës Serbe. “Në harmoni të plotë me Listën Serbe”. Ushtarë të UÇK-së, djem e vajza dëshmorësh, e bij të të burgosurve politik të regjimit të Serbisë, Haxhiu i barazoi me Serbinë.

Hekuran Murati, në unison, konstatoi “barrikadim të përbashkët” të të gjithë partive ish-opozitare me Listën Serbe, ndërsa tha se kanë pritur pesëmbëdhjetë “reflektim racional” për të votuar Konjufcën duke e ditur që nuk i kanë votat.

“Besoj që me sjelljet dhe veprimet e sotme të partive opozitare, ka kulmuar apo është materializuar ën tërësi ajo që kemi thënë nga fillimi, ku tash e 9 muaj partitë opozitare bashkë me Listën Serbe kundër Albin Kurti. Qëllimi i vetëm i tyre është kundërshtimi ndaj Albin Kurtit pa pasur as alternativë, por edhe duke lënë çdo interes shtetëror e të qytetarëve anah”, tha Murati.

Narrativi i VV-së për zgjedhja të reja: “Ata me Listën Serbe”

Muaj me radhë çmosi ishte një imazh i dëshiruar i pamjeve ku partitë ish-opozitare do të votonin, me detyrim të një aktgjykimi kushtetues, për një pjesëtar të komunitetit serb në Kuvend të Kosovës, nëntë nga dhjetë prej të cilëve ishin të Listës Serbe. Dhe këtë që ta plasonin për nevoja propagandistike te votuesit e tyre si dëshmi aleanceje të të gjithëve me Srpska-n.

Diskursi partiak i Vetëvendosjes i kalibruar në atë drejtim: ish-opozita shenjë e barazimit me Listën Serbe. Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ia votoi propozimin e Vetëvendosjes për Nënkryetar serb të Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiqin, dhe kjo perspektivë duekt të jetë mbyllur për Vetëvendosjen. Dy muaj Kuvendi i bllokuar për të zgjedhur Nenad Rashiqin, ky i fundit tash u propozua përsëri për Ministër të Komuniteteve.