Rama kërkesë urgjente Kurtit: Bllokada financiare po rrezikon shërbimet publike në Kryeqytet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë një kërkesë urgjente drejtuar kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke paralajmëruar se mungesa e veprimit nga Ministria e Financave po krijon bllokadë serioze në funksionimin e shërbimeve publike të Kryeqytetit.

Rama tha se komuna i ka drejtuar shumë kërkesa Ministrisë së Financave, por mungesa e përgjigjeve zyrtare ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

“Sot shërbimet publike në Prishtinë po rrezikohen për shkak të kësaj bllokade,” deklaroi ai.

Kërkesat e Komunës, sipas Ramës, janë të qarta dhe të mbështetura në ligj: Alokimi i plotë i të hyrave vetanake dhe zbatimi i vlerave të miratuara për Ndarjen Buxhetore 2025

Ai theksoi se është e papranueshme që qytetarët të bëhen “peng i dinamikave politike”.

Rama i bëri thirrje Kryeministrit në detyrë që të veprojë menjëherë për të mos lejuar ndërprerjen e shërbimeve themelore në Kryeqytet, duke nënvizuar se “përgjegjshmëria institucionale nuk mund të shtyhet”.