AME: Pas rënies së intensitetit të shiut, situata nën kontroll

Agjencia e Menaxhimi e Emergjent (AME) ka njoftuar se situata në nivel vendi në Kosovë është kryesisht e qetë, pas reshjeve të vazhdueshme të shiut gjatë dy ditëve të fundit.

Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente Regjionale 112, situata në nivel vendi paraqitet kryesisht e qetë. Në disa zona janë evidentuar vërshime të tokave bujqësore, si dhe depërtime të ujërave nëpër shtëpi, kryesisht nëpër podrume.

 

Që nga fillimi i reshjeve, Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë kryer 76 intervenime në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan, Viti, Kllokot, Podujevë, Mitrovicë, Lipjan, Kamenicë, Novo Bërd, Junik, Ranillug dhe Shtime.

“Për shkak të situatës janë evakuuar gjithsej 6 familje në komunat: Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Gjilan. Pas vlerësimit të gjendjes në terren dhe rënies së intensitetit të reshjeve, situata konsiderohet më e qetë dhe nën kontroll”, njofton Agjencia e Menaxhimit Emergjent.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent, nëpërmjet qendrave operative rajonale 112 dhe Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, mbetet në koordinim të vazhdueshëm me nivelin qendror dhe lokal për t’iu përgjigjur çdo nevoje dhe kërkese.