Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në një konferencë të jashtëzakonshme ka folur pas intervistimit në cilësinë e dëshmitarit për Masakrën e Reçakut.
“Kam lindur më 1962 dhe jam punësuar më 1986 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Në kohën kur vendosej për pavarësinë e Kosovës kishte përpjekje dhe kërkesa që dikush të shkatërronte komplet popullin shqiptar dhe ne që ishim pjesë e asaj kohe kishim një detyrë, edhe ne punëtorët shqiptarë në gjykatë ku unë isha bashkëpunëtor profesional, është titull profesional i punës, s’ka lidhje me bashkëpunim me regjime dhe parti politike. Gjatë asaj kohe kisha një aktivitet në Sindikatën e Punëtorëve të asaj gjykate. S’ka veprim, aktivitet që kanë qenë në kuadër të sindikatës në nivel Kosove që nuk e ka përkrahur sindikatën ku kam qenë unë”, tha Kelmendi.
“Unë për shkak të sigurisë, në atë kohë kam vepruar me emrin Alban Lumi. Për herë të parë po e them këtë publikisht. E kam pasë menduar këtë cështje ta theksoj në një libër, e kam pasë menduar që shumë njerëz që më kanë njohur s’kanë nevojë me dëgju këtë”, tha ai.
“Ka shumë shkrime për aktivitetin tim, shkrime të miat si Alban Lumi kundër gjyqtarëve të asaj kohe, gjyqtarëve serbë, të gjitha shkrimet që lidhen me Reçakun të cilat unë i kam shprehur publikisht në cdo rast kur më është dhënë mundësia”, tha ai.
“Ka shumë shkrime që sot i kam paraqitur si prova në prokurorinë speciale për të parë se çfarë diskriminime kishim ne punëtorët shqiptarë nga udhëheqësia e gjykatës së asaj kohe. Jo vetëm mua por të gjithë punëtorëve shiqptarë.”
Ai tha se ka një shkrim se si atë kohë, udhëheqësit e gjykatës ishin munduar t’ia zvogëlonin pagën.











