Barcelona merr leje të veçantë për të thyer rregullin e UEFA-s para ndeshjes ndaj Chelseat

UEFA do t’i lejojë Barcelonës të thyejë një rregull pak të njohur pas ndeshjes së saj të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve kundër Chelseat.

Barcelona dhe Chelsea do të përballen në “Stamford Bridge” të martën, më 25 nëntor. Të dy ekipet aktualisht ndodhen jashtë zonës së kualifikimit automatik për fazën me eliminim direkt: Barça renditet e 11-ta me dy fitore, një barazim dhe një humbje në katër ndeshjet e saj, ndërsa Chelsea është e 12-ta me të njëjtën statistikë.

Me rezultatet aktuale, skuadrat e Enzo Marescës dhe Hansi Flickut do të detyroheshin të luanin në një ‘play-off’ për të siguruar kalimin në raundin tjetër.

Megjithatë, pas javës së ardhshme të ndeshjeve, Barcelona do të përfitojë nga fakti se i është dhënë leje për të thyer një rregull pak të njohur të UEFA-s.

Klubi katalanas nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare në “Camp Nou” që prej 28 majit 2023 kundër Mallorcas, për shkak të punimeve të rikonstruksionit në stadiumin historik.

Që prej asaj kohe, skuadra ka luajtur në stadiumin olimpik prej 55 mijë vendesh në kodrën Montjuic, rreth 20 minuta me makinë nga “Camp Nou”.

Organi qeverisës i futbollit evropian i ka dhënë klubit leje zyrtare për të bërë një përjashtim nga rregulloret.

Sipas rregullave të UEFA-s, “një klub duhet, parimisht, t’i luajë të gjitha ndeshjet e tij në kompeticion në të njëjtin stadium”.

Megjithatë, ndryshimet lejohen për sa kohë “miratohen paraprakisht nga UEFA”.

Punimet e rikonstruksionit të “Camp Nou” kapin vlerën e rreth 1.1 miliardë eurove dhe do ta rrisin kapacitetin e stadiumit në 105 mijë vende – më i madhi në Evropë./Telegrafi/