Afatit 15-ditësh i erdhi fundi.
Këtë kohë e pati mandatari Glauk Konjufca për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të qeverisë.
Se a i ka ose jo votat, Konjufca për ta krijuar ekzekutivin mbetet të shihet gjatë seancës së thirrur si e jashtëzakonshme pas asaj të orës 11:00, në të cilën nuk u arrit të miratohet as buxheti e as marrëveshjet ndërkombëtare.
Konjufca u propozua si mandatar më 4 nëntor, pas dështimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të krijuar një mazhorancë parlamentare të qëndrueshme, pasi nuk mori votat e mjaftueshme.
E pak orë më pas, edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e emëroi Konjufcën si mandatar, i cili duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u bërë shef qeverie.
Partitë opozitare vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e njëjtë, raporton Klankosova.tv.
Njëzëri PDK, LDK, AAK, NISMA, i thane “JO” një qeverie ‘Konjufca 1’.
Më 26 tetor, në tentativën e parë të Vetëvendosjes, dështoi formimi i Qeverisë “Kurti 3”, pasi VV-ja nuk arriti të siguronte numrin e nevojshëm të votave.
Me 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime, Qeveria e re nuk arriti të formohej.











