IKD: Seanca e sotme cenon rendin kushtetues e juridik si dhe procedurat parlamentare në Republikën e Kosovës

Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se legjislatura e 9-të e Kuvendit të Kosovës po shënon nivelin më të lartë të parregullsisë kushtetuese, devijimeve procedurale dhe parregullsive parlamentare në historinë e Republikës së Kosovës, ndërsa sipas IKD-së vetëm një marrëveshje politike dhe konstituimi i një qeverie teknike mund të rikthejnë rregullsinë procedurale, legjitimitetin e institucioneve dhe respektimin e Kushtetutës.

Në komunikatën e IKD-së thuhet se sot para seancës për zgjedhjen e Qeverisë, është thirrur një seancë tjetër e jashtëzakonshme me disa pika të rendit të ditës, të cilat janë proceduar në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, praktikën parlamentare, Ligjin për Qeverinë, Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare, Ligjin për Nismat Legjislative dhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Përpjekja  për formimin e komisioneve parlamentare pa u formuar qeveria cenon rëndë vlerat e demokracisë parlamentare dhe shkatërron rendin kushtetues dhe juridik në Republikën e Kosovës. Kjo qasje e kryetarit aktual të Kuvendit bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit, ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe praktikën e deritanishme parlamentare. Sipas procedurës së detyrueshme, fillimisht Kryesia duhet të përcaktojë strukturën e komisioneve, të marrë propozimet nga grupet parlamentare, të hartojë dokumentin final dhe vetëm më pas ta dërgojë për miratim në seancë plenare. Procedimi aktual e ka anashkaluar këtë proces duke e kaluar këtë proces në mënyrë arbirtrare”.

Sipas IKD, komisionet parlamentare formohen vetëm pasi të jetë votuar Qeveria nga vet Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që të dihen balancat politike dhe ndarja qeveri-opozitë.

“Kjo vlen edhe për komisionet e veçanta. Dy komisionet më të rëndësishme mbikëqyrëse – Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, sipas ligjit, Rregullores dhe praktikës parlamentare, i takojnë opozitës. Në këtë fazë të paqartë politike, nuk dihet ende se cilit subjekt i takon statusi opozitar, duke e bërë të pamundur formimin ligjor të këtyre komisioneve”.

Në këtë situatë të krizës institucionale dhe shkeljeve serioze të rendit kushtetues, IKD vlerëson se zgjidhja e vetme reale është arritja e një marrëveshjeje politike ndërmjet partive parlamentare.

“Për këtë arsye, IKD u bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe në mënyrë të veçantë Lëvizjes Vetëvendosje, që para seancës së sotme të orës 14:00 mandatari për formimin e Qeverisë, z. Glauk Konjufca, të thërrasë menjëherë një takim me kryetarët e të gjitha partive parlamentare. Qëllimi i këtij takimi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje për formimin e një Qeverie teknike, e cila do të mundësojë adresimin e çështjeve urgjente të administrimit shtetëror: miratimin e ndarjeve buxhetore për vitin 2026, buxhetin për RTK, alokimin e buxhetit për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, si dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të tjera të pazgjidhura që kërkojnë funksionim të plotë institucional”.

“Vetëm një marrëveshje politike dhe konstituimi i një qeverie teknike mund të rikthejnë rregullsinë procedurale, legjitimitetin e institucioneve dhe respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nëse ky hap nuk ndërmerret, vazhdimi i devijimeve aktuale do të shkaktojë dëm të parikuperueshëm për rendin kushtetues të vendit, funksionimin e demokracisë parlamentare dhe sundimin e ligjit”.