Më 16 tetor, Lista Serbe ka dorëzuar një aneksë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Në kërkesën e saj, kjo parti ka kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme.
Ankesa e dorëzuar nga Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, vazhdon të jetë në proces shqyrtimi.
Kështu ka bërë të ditur për FrontOnline Gjykata Kushtetuese.
‘’Kjo kërkesë aktualisht është në procedurë të shqyrtimit. Për çdo vendim të Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni’’, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
Kushtetuesja kishte trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.
Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.
Në vendimin e Kushtetueses u tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.











