Komuna e Gjilanit është përfshirë sërish në një kontest ligjor rreth mënyrës së menaxhimit të procedurave të prokurimit publik, pas anulimit të tenderit “Transport i Tifozëve-Klubeve dhe nevojave tjera të Komunës”, një procedurë që ishte zhvilluar deri në hapjen e ofertave, ku operatori ekonomik “Merkatori” SH.A. rezultoi ofertuesi më i lirë. Mirëpo vetëm pak ditë më vonë, komuna vendosi të anulojë krejt procesin, duke u justifikuar se “nuk ka mjete financiare në dispozicion”, shkruan Demokracia.com.
Komuna e Gjilanit ka anuluar aktivitetin e prokurimit për shërbimin “Transport i Tifozëve-Klubeve dhe nevojave tjera të Komunës”, një tender ku, sipas dokumenteve zyrtare, tashmë ishin hapur tri oferta dhe ishte konstatuar se të gjitha ofertat ishin të përgjegjshme.
Operatori ekonomik “Merkatori” SH.A., i cili kishte ofertuar me çmimin më të ulët, paraqiti ankesë kundër këtij veprimi, duke pretenduar se anulimi është bërë në kundërshtim me nenet 7, 20, 59, 60 dhe 62 të Ligjit të Prokurimit Publik.
Si ndodhi anulimi?
Sipas dokumenteve zyrtare të dorëzuara në OSHP:
Komuna e Gjilanit ka publikuar tenderin më 05.09.2025
Hapja e ofertave është bërë më 25.09.2025
Tre operatorë ekonomikë kanë ofertuar, të tre të përgjegjshëm
Më 30.09.2025 komisioni vlerësues raporton se nuk ka mjete në dispozicion
ZKF (Zyrtarja Kryesore Financiare) njofton më 20.10.2025 se mjetet janë bllokuar për shkak të përmbarimeve dhe obligimeve të papaguara
Po atë ditë, komuna vendos të anulojë procedurën për mungesë fondesh
Në procedurat e prokurimit, anulimi për shkaqe financiare lejohet, por zakonisht pritet të ndodhë para hapjes së ofertave, kur autoriteti kontraktues e kupton se nuk ka fonde të mjaftueshme.
Në këtë rast, komuna e ka marrë vendimin pasi i ka parë ofertat, gjë që e ka shtyrë operatorin ekonomik të kontestojë procedurën. Por, qe e benë edhe procedurën e anulimit shumë të dyshimtë
Çfarë thotë ligji? Kur mund të anulohet tenderi?
Neni 62 i LPP-së: Kur mund të anulohet një tender?
Neni 62 është neni kryesor që rregullon përfundimin e aktivitetit të prokurimit pa dhënë kontratë. Ky nen lejon anulimin vetëm për tri arsye të përcaktuara qartë:
- Ka ndodhur ose do të ndodhë një shkelje e ligjit që nuk mund të rregullohet
- Të gjitha ofertat e përgjegjshme e tejkalojnë në mënyrë substanciale buxhetin e autoritetit kontraktues
- Para hapjes së tenderëve, shfaqen ngjarje objektive që e bëjnë të domosdoshme ndërprerjen
Pika 62.1.3 është shumë e qartë:
Anulimi për arsye objektive duhet të ndodhë para hapjes së ofertave.
Në rastin e Gjilanit, aktiviteti është anuluar pasi u hapën ofertat.
Për këtë arsye operatori ekonomik e kontestoi procedurën, duke pretenduar se anulimi është bërë në kundërshtim me momentin kohor që kërkon neni 62.
Eksperti shqyrtues: Ankesa të aprovohet pjesërisht, por anulimi të mbetet në fuqi
Raporti i ekspertit shqyrtues thekson se Komuna ka pasur të drejtë ligjore të anulojë procedurën për mungesë fondesh
Megjithatë, duke qenë se anulimi është bërë në një fazë të avancuar të procesit, operatori ekonomik ka pësuar shpenzime për pjesëmarrje
Prandaj ankesa duhet të aprovohet pjesërisht, por vendimi për anulim të mbetet në fuqi
Komuna e Gjilanit në vështirësi financiare
Në komunikimin zyrtar të Zyrtares Kryesore Financiare thuhet qartë se komuna nuk ka mjete në dispozicion për këtë kontratë, për shkak të:
Vendimeve përmbarimore
Obligimeve të papaguara nga vitet e mëparshme
Mosmiratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm nga Kuvendi i Kosovës
Kjo dëshmon se komuna ndodhet në një situatë të vështirë financiare, një faktor që duket se po ndikon drejtpërdrejt në proceset e prokurimit publik.
Rasti nxjerr në pah një problem të qartë: tenderi është zhvilluar deri në pikën e hapjes së ofertave, edhe pse komuna në fakt nuk ishte në gjendje të lidhte kontratë për shkak të situatës së saj financiare. /Demokracia.com/











