Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00 , ku në rend dite janë votimi i buxhetit dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK’së, Vlora Çitaku, ka konfirmuar për Reporteri.net se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.
“Sot kemi pasur mbledhjen e GP bashkë me Kryetarin Hamza, dhe ne nuk do të marrim pjesë në seancen e parë. Para fillimit të seancës do të mbajmë konferencë për shtyp”, ka deklaruar Çitaku.
Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate drejtuar mediave, njoftoi se nuk do të shkojë në këtë seancë.
“Agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, u tha në komunikatë.
Ndërkohë se AAK nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, e ka konfirmuar Shefja e Grupit, Time Kadriaj.
“Në ora 11:00 jo”, ka deklaruar shkurt Kadriaj.
Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar grupeve parlamentare mbështetje për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e votimit të buxhetit.
Deputetja e VV’së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se pesë prej pikave të rendit të ditës janë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nëse nuk miratohen, rrezikojnë shtyrjen e 1 miliardë eurove investimeve.
Ajo ka specifikuar Planin e Rritjes, për të cilin ka thënë se nëse nuk miratohet deri në dhjetor, vendi rrezikon të humbë 10% të vlerës totale prej 880 milionë euro, apo rreth 88 milionë euro, shkruan Reporteri.net.
“Për ta arritur këtë sukses, na duhet mirëkuptimi dhe mbështetja e të gjitha grupeve parlamentare, sepse marrëveshjet ndërkombëtare nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka kërkuar formimin e katër komisioneve të përhershme parlamentarare.
“Duke qenë të vetëdijshëm se zgjedhjet janë zgjidhja më stabile për ngërçin aktual, duhet të jemi mendjehapur dhe të mos e rëndojmë stabilitetin financiar. Prandaj, buxheti i vitit 2026 është përfshirë në agjendë dhe propozim për votim”, thuhet në postimin e saj.
Seanca është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka mbledhur 40 nënshkrime. Pas kësaj seance, në orën 14:00, do të mbahet ajo për votimin e Qeverisë, ku këto parti kanë thënë se do të jenë të pranishme.











