Rumania e pësoi nga dezinformacioni rus, po Kosova?

Kosovës mund t’i dalë për hundësh rekordi i saj prej ‘fshati digjital’, që i referohet të qenit në mesin e vendeve me mbulueshmërinë më të lartë në Evropë me qasje në internet. Me 1.6 milionë individë që e përdorin internetin, shqiptarët kosovarë kanë 877 mijë identitete përdoruese në mediat sociale, që i bie 52.2 për qind e popullatës. Vjeshtën e kaluar, bota u trondit kur Rumania pësoi keq nga dezinformacioni rus që ndikoi në rezultatet presidenciale dhe fitoren e stuhishme të një politikani prorus. Tash e një vit, BE-ja është bërë sy e vesh kundrejt kërcënimit më të madh të demokracisë, siç është propaganda komputacionale që merr flatra nga teknologjitë e AI-së. Ç’ndodhi në Rumani që mund t’i ndodhë edhe Kosovës?

Col Mehmeti

18 nëntor 2025 – Në vjeshtën e vitit të kaluar, Călin Georgescu nuk ishte farë emri i dëgjuar në Rumani.

Por, miliona përdorues TikToku dalëngadalë po familjarizoheshin me një burrë 62 vjeçar që mbahej mirë me shëndet e kullandrisej kurdo që dilte para kamerës.

Një fotoshkrepje teksa Georgescu kalëronte plot shkathtësi në gjog të bardhë, veshur me petka popullore rumune, u bë imazhi i njeriut që po e bënte për vete popullin e mediave sociale.

Formula e tij politike gjuhësohej me togfjalëshin “Hrană, apă, energie” (Bukë, ujë, energji).

Kur po avitej vjeshta, sipari u hap me përgatitjet për zgjedhjet presidenciale në të cilat kishin të drejtë vote plot 11.5 milionë rumunë.

Pakkush do të vinte bast për gjasat e një hiçi si Georgescu.

Ndonjë sondazh e kalonte shpejt e shpejt si dikush me përqindje fare të parëndësishme për të cilin as nuk ia vlente barra qiranë të bëheshin analiza a parashikime.

Me 3 deri në 5 për qind, e ardhmja e tij si president i ardhshëm i rumunëve ngjante sall si një dëshirë fantaziste.

“Kurrë s’i dihet”

Por, e thënmia popullore rumune “Nu poţi şti niciodată când” (Kurrë nuk i dihet) do të zgërdhihej cinikçe pak orë pasi u mbyllën vendvotimet.

Në mbrëmjen e 25 nëntorit, rumunët nuk po u besonin syve.

Ylli i TikTokut printe pabesueshëm me 22.9 për qind kundrejt Elena Lasconit nga partia e djathtë “Uniunea Salvați România” që mori 19.18 për qind dhe Marcel Ciolacusë nga partia e majtë “Partidul Social Democrat” që mori 19.15 për qind.

Rumunë e jorumunë ishin bërë pikëpyetje nga habia e madhe.

Vallë, si i bëri për vete rumunët kaq papritur një njeri që Putinin e urryer e kishte përnaltësuar si “un om care își iubește țara” (burrë që e do vendin e vet)?

Aq e fortë ishte ndjesia e tronditjes sa të gjithë harkonin vetullat se ç’fushatë mund të kishte bërë Georgescu që doli fitimtar?

Po t’i rikujtoje nga e para ngjarjet e vitit, nuk është se kishte pasur ndonjë momentum kushedi sa të volitshëm politik sa ky të dilte hop i pari.

Atëherë, çfarë dreqi ngjau?

Rritja artificiale me TikTok

Me profesion agronom, 62-vjeçari e kishte ndarë mendjen se në cilin truall duhej të apelonte me thirrje kundër NATO-s, me qëndrime qartësisht simpatizuese për Putinin, e me prirjen e tij për të dashuruar teoritë konspirative.

Kur dalldia e mbështetësve të tij po mekej e kur mosbesimi i shumicës po bëhej si ankth publik, njohës e analistë dalëngadalë nisën t’i binin në erë një hile të madhe.

Fushata jokonvenciale e Georgescusë kishte zënë vend edhe në Facebook e YouTube, por ai i kishte ngritur çadrat e kampit të tij vetëm TikTok.

Disi e papritur për dikë të moshës së tretë, por ja që ai kishte urëzuar, si askush tjetër, lidhje me miliona të rinj rumunë në TikTok.

Duke u mburrur për një fushatë që nuk harxhoi asnjë lék, videot e tij po nduknin me miliona shikime kur ai kalëronte kuaj ose praktikonte xhudo.

Mu këtu fshihej një dallaver i rryer që ua kishte hedhur paq miliona rumunëve.

Raporti i parë, i autoruar nga një think tank si Expert Forum, vuri në pah se rritja shpërthyese e Georgescusë në TikTok “u krijua papritur e artificialisht – në mënyrë konsistente me mënyrën sesi ai shpërtheu në sondazhe”.

Duke i qëmtuar më me kujdes zhvillimet në këtë platformë, autoritetet i ranë në fije që algoritmi i TikTokut ishte përdorur në vigjilje të zgjedhjeve të nëntorit në disa rrafshe.

Mbi 100 influencerë ishin paguar për të afishuar përmbajtje pro-Georgescusë, mijëra llogari false ishin krijuar për ta mbështetur atë, ashtu sikurse edhe mijëra dollarë për ta tokëzuar fushatën anepërtej.

Operacioni që filloi në Moskë

Sipas analizave të Këshillit Suprem të Mbrojtjes Kombëtare, kjo fushatë ishte “e singjashme” me një operacion të udhëhequr nga Federata Ruse në Ukrainë.

Nga dita në ditë, mediat në Bukuresht nxirrnin copëza dokumentesh të deklasifikuara të inteligjencës rumune që i mëshonin po të njëjtit përfundim.

Rusia vërtet kishte sipërmarrë sulme kibernetike, rrjedhje e sabotazh në Rumani.

Por si ishte kryer ky alamet dallaveri?

Pak para zgjedhjeve, një fushatë që po shquhej me hashtagun “EchilibrușiVerticalitate” (Ekuilibër, Ndershmëri) po vërshonte TikTokun rumanishtfolës.

Pa e përmendur me emër, influencerët afishonin video për presidentin e ardhshëm duke sugjestionuar se dëshironin dikë që ishte “atdhetar” dhe punonte për “stabilitet” e “përparim”.

Ky rreng ishte bërë duke përdorur platformën e marketingut të quajtur FameUp, e cila e bën të mundur për brendet që të angazhojnë influencerë për të promovuar produkte.

Në mars të këtij viti, influenceri rumun Bogdan Peschir u arrestua nën akuzat për “korruptimin e votuesve përmes mjeteve elektronike të komunikimit”.

Me namin e “Mbretit të TikTokut” në Rumani, Peschiri u akuzua nga Prokuroria se pagoi mbi 900 mijë dollarë në llogari të 250 influencerëve “për t’i shtyrë ata që ta votojnë një kandidat të caktuar në zgjedhjet presidenciale”.

TikToku bëhet mjet informimi në kurriz të mediave

Ndonëse TikToku ua bën me sy të rinjve me përmbajtjen zbavitëse që ka, ai po shërben gjithnjë e më shumë si platformë për t’u informuar.

Sipas një studimi të Pew Research Center, në Shtetet e Bashkuara, rreth gjysma e përdoruesve të TikTokut, nën moshën 30 vjeçare, thonë se e përdorin këtë platformë për të qenë të përditësuar me lajme e zhvillime nga politika.

Si kudo tjetër, popullariteti i TikTokut po bën kërdi edhe në Rumani.

Në shkurt të 2019-s, në këtë vend ishin vetëm 175 mijë përdorues TikToku.

Por, në fillim të vitit të kaluar, kjo shifër u fry si tullumbace në gati 9 milionë përdorues.

Megjithë marifetet tejet të ndërlikuara, analizat po e vinin gjithçkajen në vendin e vet.

Botsa TikToku, rrjete dezinformuese e angazhim i nxitur articifialisht ishin që të gjithë hisedarë në suksesin e njërit prej kandidatëve.

Edhe pse mori konfirmime nga inteligjenca rumune për ndërhyrje nga jashtë, Gjykata Kushtetuese fillimisht nuk i shpërmiratoi rezultatet, por vetëm urdhëroi rinumërimin e tyre.

Këtu marifeti u vu në pah edhe më shumë.

Votat e Georgescusë ishin ende po të njëjtat dhe nuk dukej se kishte pasur mashtrime.

Sipas ligjit zgjedhor në Rumani, zgjedhjet mund të shfuqizohen vetëm nëse një ndërhyrje nga jashtë ndikon ndjeshëm në rezultate.

Ky ishte psehu që, më 6 dhjetor 2024, Gjykata i anuloi zgjedhjet, duke e bërë Rumaninë si vendin e parë që i anuloi zgjedhjet presidenciale për shkak të luftës kibernetike.

Dy armët kryesore të Rusisë: dezinformacioni dhe mediat sociale

Prej 2022-s kur ndërmarrjes pushtuese ruse mbi Ukrainën i hasi sharra në gozhdë, Kremlini e vuri në përdorim kartën e tij të stërholluar.

Nëpërmjet luftës hibride, ku përfshihet dezinformacioni dhe përbirimi në vende të tjera përmes domenit kibernetik, shërbimet ruse shpesh kanë dalë të fituara në atë që gjithnjë e më shpesh po quhet luftë narrative.

Kjo domethënë që, për çështje të ndjeshme që po e polarizojnë botën, publiku në Perëndim nis ta shohë në dritë pozitive Rusinë e politikën e saj.

Me shfrytëzimin e teknologjive të Inteligjencës Artificiale (AI), keqinformimi – që përshkruhet si fushatë ngatërruese informacioni – synon të ndikojë opinionin publik dhe të shkërmoqë të vërtetat.

Me AI-në që po stërhollohet vijimisht, algoritmet e filtrojnë përmbajtjen, duke i favorizuar shpesh informacionet kundërthënëse ose ato senzacionaliste.

Falë modeleve si ChatGPT e Deepfake, tani është çështje minutash sajimi i fjalëve, fotografive e videove mashtruese që duken përsosurisht reale.

Ato hyjnë në shërbim asaj që quhet propagandë komputacionale ku algoritmet e nënshtrojnë opinionin publik, e shkërmoqin besueshmërinë në institucione dhe i ndikojnë rezultatet politike.

Ndryshe nga format e dalaboje të propagandës klasike, propaganda komputacionale me ndihmën e AI-së prodhon përmbajtje fort bindëse.

Teksa e dëmtojnë besueshmërinë e një caku (medium, institucion apo parti politike), përmbajtjet e tilla përdoren për të mbajtur në qendër të vëmendjes narrativa të caktuara.

Kjo mundësohet falë ushtrive të botsave që i mbushin mediat sociale me mesazhe të bashkërenduara.

Sipas studiuesve, kjo luftë komputacionale vë në rrezik besimin publik, procedurat demokratike dhe kohezionin shoqëror.

Shpërhapja e qëllimshme e dezinformacionit të ndihur nga AI-ja, sidomos gjatë zgjedhjeve, e ka fare të mundur ngatërrimin e votuesve dhe ndryshimin e rezultateve zgjedhore.

Në një plan më të gjerë, veprime të tilla e shkërmoqin besimin publik në autoritete e në media konvencionale, duke e nxjerrë nga shishja skepticizmin dhe zhgënjimin.