Avokati i Thaçit: Gjyq si Specialja nuk kam parë kurrë

Siç thotë avokati amerikan, Pierre Richard Prosper, provat e Prokurorisë së Speciales janë të dobëta, ndryshe nga siç ndodhte në gjyqet që zhvilloheshin përgjatë viteve të 90-ta.

Sipas Pierre Richard Prosper, avokat i ish-Presidentit Hashim Thaçi, provat e Prokurorisë së Speciales në Hagë kundër krerëve të UÇK-së “janë shumë të dobëta”. Siç u shpreh ai në një intervistë ekskluzive për VOX Kosova “gjyqi aktual ndryshon nga ato të viteve të 90-ta”, të cilat siç shprehet ai “kishin fakte reale për t’i debatuar dhe për t’i shqyrtuar”.

“Në këto procese, kam vënë re se provat që paraqiti prokuroria ishin shumë të dobëta, sipas nesh. Mendoj se ishin prova të bazuara kryesisht në artikuj, prova të bazuara në libra, prova të bazuara në lloje të tjera shkrimesh”, thotë Prosper.

“…nuk është ajo që prisja, dhe është mjaft ndryshe. Kam qenë i përfshirë në shumë procese gjyqësore që datojnë që nga vitet ’90, dhe në të kaluarën, në të gjitha ato gjyqe, ato bazoheshin përgjithësisht në prova të forta. Pavarësisht nëse personi shpallej fajtor apo i pafajshëm, qëllimi ishte se kishe fakte reale për t’i debatuar dhe për t’i shqyrtuar”, shton.

Në këtë situatë, sipas Prosper, është shqetësim serioz se cila do të jetë e ardhmja e drejtësisë ndërkombëtare.