Ekspertët: LVV-ja shkel rendin kushtetues me seancën e jashtëzakonshme

Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që “të tregojnë racionalitet e maturi” e të marrin pjesë në seancën e thirrur të mërkurën në ora 11:00.

Si një seancë e paligjshme dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të vendit e kanë cilësuar njohësit e çështjeve politike, thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, ku synohet të shqyrtohen disa projektligje, përfshirë edhe ajo mbi ndarjet buxhetore dhe çështjen e financimit të RTK-së.

Kjo seancë, për Albert Krasniqin nga Demokracia Plus nuk është zgjidhje, por është një manovër politike e pushtetit.

“Në këtë manovër së fundi i është bashkuar edhe Presidentja Osmani, për të zhvendosur fajin te të tjerët për pasojat e rënda financiare me të cilat do të përballet vendi”, thotë ai.

Në vlerësimin e tij thirrjet për shkelje të qëllimshme të ligjshmërisë nuk janë “as rrugëdalje, as zgjidhje”.

“Ato janë hapje e dyerve për të dalë krejtësisht nga binarët institucionalë dhe për të dëmtuar themelet e shtetit ligjor. Vetëm kthimi në legalitet dhe përgjegjësi institucionale mund ta nxjerrë vendin nga ngërçi. Gjithçka tjetër është thellim i krizës”, ka shtuar ai.

Një veprim i tillë, sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, bien ndesh me ligjin, rendin kushtetues dhe logjikën parlamentare.

I gjithë ky nxitim për të votuar urgjentisht buxhetin dhe marrëveshjet, pikërisht para skadimit të afatit për mandatarin e dytë, beson Cakolli, shpalos disa mesazhe politike.

“Së pari, duket se ka shumë pak besim që Qeveria e propozuar nesër do të sigurojë shumicën e nevojshme. Për më tepër, dështimi eventual për miratimin e pikave të nesërme do të tentohet të kapitalizohet si kartë politike gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore. Dhe së dyti, po jepen sinjale se vendi mund të mbetet pa Qeveri të re funksionale edhe përtej muajit mars – kur çështjet buxhetore bëhen realisht emergjente”.

Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që “të tregojnë racionalitet e maturi” e të marrin pjesë në seancën e thirrur të mërkurën në ora 11:00, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje, përfshirë edhe ajo mbi ndarjet buxhetore dhe çështjen e financimit të RTK-së.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00. Ndërkaq, të njëjtat parti konfirmuan pjesëmarrjen në seancën e orës 14:00, ku pritet të votohet për qeverinë e propozuar nga mandatari Glauk Konjufca.