PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja nuk i shkojnë VV-së në “seancën” e parë, në të dytën votojnë kundër Konjufcës

Rendi kushtetues një gjë, rendi i gjërave të Vetëvendosjes diçka tjetër. Sahati kushtetues i fundit godet nesër në ora 23:59 për zgjedhje të qeverisë, çka përcakton fatin përfundimtar të kësaj legjislature të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit nëse do të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Glauk Konjufca, mandatari i dytë për formim të qeverisë së re, që “bindi” Vjosa Osmanin, Presidente të Kosovës, se bën shumicë parlamentare për t’u zgjedhur, u dëshmua përfundimisht të ketë dështuar pas publikimit të “agjendës” dhe “rendit të ditës” së Kuvendit të Kosovës kur seancë të jashtëzakonshme u thirr për Buxhet, Komisione Parlamentare dhe Marrëveshje Ndërkombëtare, e tek pastaj seancë për zgjedhje të qeverisë. Në njoftimin e vetë, Vetëvendosja ka kërkuar vota nga ish-opozita për të miratuar ligje, projektligjeve e marrëveshje ndërkombëtare. Konjufca 1, kësisoji, u dëshmua të ketë qenë blerje 15 ditor kohe me Vjosa Osmanin “të bindur”. Tre partitë më të mëdha ish-opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në këtë “seancë” të parë, sipas tyre, të paligjshme dhe kundër rendit kushtetues të vendit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i quajti “popullistë të rrezikshëm” partinë Vetëvendosje me thirrjen dhe përmbajtësimin e seancës së orës 11:00 “pa asnjë konsultim, komunikim e diskutim” dhe shtoi se “refuzimi i popullistëve është akti më i lartë patriotik sot”.

“LDK nuk bëhet pjesë e shfaqejeve parlamentare të një pushteti në ikje. Nesër nuk marrim pjesë fare në seancën e imponimit teatral të orës 11:00-të. Mblidhuni vet; i bëni muhabet vetes. Luftën me mullinjtë e erës e bëni mirë. Nesër, nga ora 14:00, votojmë me bindje e krenari kundër pakicës që nuk mund të sillet si shumicë më në këtë shtet”, shkroi Abdixhiku në një reagim në rrjete sociale.

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në seancën e parë të jashtëzakonshme të thirrur nga Dimal Basha i Vetëvendosjes, ka konfirmuar për “Nacionale” Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.

Po ashtu Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të orës 11:00 të thirrur nga Vetëvendosje, ku kanë përfshirë çështje votimi i të cilave kërkon që të ketë qeveri legjitime të zgjedhur e të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. “Nesër nuk marrim pjesë në seancën e parë, në të dytën votojmë kundër”, tha zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili në një përgigje me shkrim për Nacionale.

Arben Gashi i LDK-së e quajti shkelje të pastër të Rregullores së Kuvendit dhe logjikës kushtetuese, thirrjen e seances të jashtëzakonshme për çështje si Buxheti, komisionet parlamentare dhe marrëveshje ndërkombltare nga Vetëvendosje pa u zgjedhur ende qeveri legjitime e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ndërkaq nga VV, anipse mesër afati i fundit kushtetues për zgjedhje të qeverisë, me mandatarin e dytë, Glauk Konufcën, ata s’iu referuan si ngjarje. Mimoza Kusari-Lila iu referua seancës “tjetër” të orës 11:00 ku partitë politike ish-opozitare nuk do të marrin pjesë.

“Mirëpresim diskutimet dhe miratimet për agjendën e nesërme”, shkroi ajo.