Wesley Clark ka mbaruar shpejt punë në Hagë ku ishte thirrur të japë dëshminë e tij në Hagë për luftën e Kosovës që e kishte udhëhequr vetë si top ushtarak amerikan i NATO’s kundër Jugosllavisë së Millosheviqit. Si dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit për dy ditë me radhë në Speciale, gjenerali me katër yje i pensionuar qe një kohë të gjatë ka mbrojtur krerët e UKÇ’së duke mohuar akuzat për spastrim etnik dhe krime ndërsa, veçmas ka “bombarduar” teorinë për trafikim organesh që i përshkruhej UÇK’së duke e quajtur propagandë ruse.
Dëshmia e Clark për UÇK’në.
Duke u përgjigjur për organizimin e UÇK’së, dhe, mënyrën se si ajo vepronte atë kohë, Clark tha se bëhej më shumë fjalë për grupe lokale se ndonjë organizim tjetër.
“Nuk kishte shumë informacion. Nuk kishte shumë gjëra për të folur sa i takon komandës. Sa e dinim ne, bëhej fjalë për grupe lokale që ishin formuar pak a shumë në mënyrë spontane në përgjigje të shtypjes serbe në shumë e shumë vitesh’’, tha ai.
Ai potencoi se, ushtarët e UÇK’së ishin të vetorganizuar, grupe të ‘’motivuara’’ dhe të ‘’pavarura’’.
“Ishte e qartë që bëhej fjalë për grupe të pavarura. Ishin grupe të motivuara, ishin duke luftuar. Ndonjëherë ata kapnin dikë, për shembull; në një pikë ata kapën një rus dhe unë thash që nuk jam i interesuar për këtë gjë. Domethënë me një fjalë nuk kishte mënyra komunikimi, ishin thjesht njerëz të vetorganizuar. Unë nuk kisha asnjë dyshim që Ushtria Serbe ishte e frikësuar prej tyre por nga ana tjetër sa i takon komandës dhe kontrollit ose forcës të koordinuar, asnjëra prej këtyre nuk ekzistonte”, tha ai.
Clark, në dëshminë e tij foli edhe për çështje si komanda dhe kontrolli, duke thënë se me ato sa kishin parë ata, nuk kishte ekzistuar asnjëra prej këtyre elementeve.
“Ne, gjithmonë themi komandë dhe kontroll. Komanda është kompetenca-autoriteti por kontrolli është mënyra për të mbikëqyrur atë, për ta udhëzuar atë dhe për të ndjekur hapat. Me aq sa pamë ne, nuk kishte asnjë prej këtyre elementeve. Ne, kishim disa vëzhgues në kufirin në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe ndonjëherë ata më thoshin që mundoheshin që të mbledhshin informacion- këtu e kam fjalën për persona që i përkisnin forcave speciale të SHBA. As ata nuk patën mundësi të mblidhnin informacion të besueshëm”, tha ai.
Gjatë dëshmisë së tij, Clark u pyet edhe për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK’së, duke mohuar se ka dëgjua për diçka të tillë.
“Jo, s’kam dëgjuar”, u përgjigj Clark.
Akuzat për spastrim etnik dhe trafikim organesh
Clark gjatë dëshmisë së tij, u deklarua edhe për çështje tjera të ngritura si akuzat për spastrim etnik.
Për këto, ai tha se s’ka parë prova që UÇK-ja është prapa spastrimit etnik të serbëve.
“Unë nuk kam prova dhe dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj dhe kam indikacione që provojnë të kundërtën. Po i referohem deklaratës ku pretendohet se rreth 170 mijë serbë të jenë dëbuar nga Kosova”, tha Clark.
Gjenerali amerikan në pension foli edhe për akuzat për trafikim organesh, për të cilat ai deklaroi se këto akuza ishin fushatë dezinformuese e rusëve
“Mendoj se ishte pretendim qesharak që në një fushatë ajrore bombardimesh hiqeshin organet e njerëzve dhe shiteshin. S’ka kuptim. S’kishte kuptim kjo gjë. Ishte thjesht dezinformim. Të njëjtit persona që më dhanë librin në vjeshtën e ’98-ës. Këta persona ishin rusët”, tha ai.
Akuzat ndaj UÇK’së për terrorizëm
Clark përgjatë këtyre dy ditëve, foli edhe për akuzat që i bëheshin UÇK’së lidhur me terrorizmin, duke thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk janë terroristë.
“Personat duhet të përpiqen të luftojnë për të drejtat e tyre. Këtë u përpoq që të bënte UÇK-ja në fillimin e viteve ’90-të kur thjesht nuk pranuan shtypjen prej serbëve dhe bënë të pamundurën për t’i rezistuar shtypjes prej serbëve. Ata janë njerëz që luftuan kundër një regjimi të padrejtë dhe të jashtëligjshëm i cili meritonte të largohej dhe të zëvendësohej. E njëjta gjë po ndodhë aktualisht në Ukrainë”, deklaroi ai.
I njëjti deklaroi se kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes kalojnë tek të qenit luftëtarë lirie.
“Jo kjo nuk është e saktë, për këtë arsye fola me Thaçin. Unë i kërkova Thaçit të na ndihmonte. Ishim në një pikë kritike të historisë, të vlerave, të etikës, të demokracisë në këto kohë. Shpresoj që të mos më ndërpres trupi gjykues. Megjithatë, në një pikë të caktuar kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, në një pikë ata kalojnë nga të qenët terroristë, tek të qenët luftëtarë lirie dhe në një pikë të caktuar opinioni botëror dhe konsensusi botëror mbërrin në përfundimin që njerëzit kanë të drejtë të rezistojnë presionin e luftës dhe kjo është e parashikuar në deklaratën amerikane të pavarësisë dhe është diçka normale dhe e logjikshme”, tha Clark.
Roli i Hashim Thaçit
Për këto dy ditë, Clarku foli edhe për rolin e Thaçit, nga mbrojtja e të cilit edhe ishte ftuar si dëshmitar.
Për këtë, së pari Clark tha se nuk është e qartë nëse dhuna ishte kryer nga UÇK-ja, por edhe në rastin nëse kjo do të ishte e vërtetë atëherë ato veprime janë bërë nga individë të caktuar.
“Unë nuk mendoj se zoti Thaçi ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë bërë akte të tilla. Së pari, nuk është e qartë që dhuna ishte kryer nga UÇK-ja. Edhe po të ishte kështu, ajo është realizuar nga individë të caktuar”, deklaroi Clark.
Më tej, Clark sërish theksoi se ‘’ askush nuk kishte mekanizëm kontrolli mbi atë se çfarë ndodhte në terren’’.
“Unë kam folur me Mike Jackson për këtë dhe sigurisht ai ka folur me komandantët e tyre dhe ata kanë qenë në kontakte me persona të UÇK-së që lidheshin me zona të caktuara përgjegjësie. Unë nuk besoj që ka qenë UÇK-ja. Por edhe të ketë qenë UÇK-ja, askush nuk kishte mekanizëm kontrolli mbi atë se çfarë ndodhte në terren. Nuk funksionon një gjë e tillë që ti të jepje urdhër dhe pastaj të prisje që njerëzit ta zbatonin këtë urdhër”, tha ai.
Clark u shpreh i bindur se Thaçi nuk është përgjegjës për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë.
“E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes së mëparshme që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës individuale të hakmarrjes”, theksoi Clark.
Ai në dëshminë e tij foli direkt edhe për kompetencat e Thaçit, ku i pyetur se nëse ato ishin politike ndryshe nga ato ushtarake, ai tha: Duket se është kështu.
Ndryshe, Clark është dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit. Ish-gjenerali amerikan, ka shërbyer si komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë për NATO-n nga viti 1997 deri më 2000, dhe i njëjti e udhëhoqi fushatën ajrore kundër caqeve serbe, që zgjati 11 javë.











