Seanca e orës 11:00 “shkelje kushtetuese”, Gashi i LDK-së: “Zoti e ruajt Kosovën, kështu vetëm thellohet kriza”

Shkelje të pastër të Rregullores së Kuvendit dhe logjikës kushtetuese, e ka vlerësuar Arben Gashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për çështje si Buxheti, komisionet parlamentare dhe marrëveshje ndërkombltare nga Vetëvendosje pa u zgjedhur ende qeveri legjitime e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Postimi i plotë:

Për nesër janë thirrur dy seanca, dhe që të dyja tregojnë qartë kaosin institucional ku është futur vendi.

Seanca e parë, në ora 11:00, paska në rend dite formimin e komisioneve parlamentare. Kjo është shkelje e pastër e Rregullores dhe e logjikës kushtetuese: komisionet mund të formohen vetëm kur ka pozitë dhe opozitë të qartë. Sot nuk ka shumicë, s’ka as komisione legjitime, pikë.

Pastaj, si të mos mjaftonte, janë futur edhe pesë marrëveshje ndërkombëtare për ratifikim. Për këto duhen komisionet, duhen 80 vota për, dhe duhet seriozitet institucional. Asnjëra s’është në horizont.

E kulmi? Futja në rend të ditës e projektbuxhetit për vitin 2026 nga një qeveri në detyrë, me probleme të rënda procedurale e kushtetuese. Një veprim që sfidon çdo standard të qeverisjes së mirë.

Në fund, për lojë të pastër politike, i kanë futur edhe buxhetet e Prishtinës, Gjilanit, Zubin Potokut dhe atë të RTK-së. Çështje të ndjeshme që nuk mund të trajtohen pa qartësuar shumicën dhe pa formuar komisionet parlamentare.

Le ta themi troç: seanca e orës 14:00 është vendimtare. Nëse dështon, hyn në fuqi numërimi mbrapsht, 40 ditë deri te zgjedhjet e përgjithshme.

Kjo që po ndodh nuk është as rrugëdalje, as zgjidhje. Është vetëm zvarritje, përçarje dhe futje e Kosovës në një fushatë tjetër plot tension, ku rrezikojmë që edhe zgjedhjet e ardhshme të mos sjellin stabilitet.

Kështu nuk ndërtohet shteti.

Kështu vetëm thellohet kriza.

Zoti e ruajt Kosovën.