Seanca e orës 11:00, Cakolli: Duket se ka shumë pak besim që Qeveria e propozuar nesër do të sigurojë shumicën e nevojshme

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se thirrja e seancës së jashtëzakonshme nesër bie ndesh me ligjin. Sipas tij fillimisht duhet të votohet qeveria e pastaj të merren vendime tjera.

“Nëse pikat e rendit të ditës për seancën e nesërme – përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, kreditë, buxhetin e shtetit, buxhetet e disa komunave dhe financimin e RTK-së – qenkan kaq jetike, pse nuk u sollën për shqyrtim më herët? Pse jo gjatë 14 ditëve të mandatarit të dytë, gjatë 10 ditëve të konsultimeve të Presidentes, apo gjatë 15 ditëve të mandatit të parë? Pse pikërisht në ditën e fundit të afatit kushtetues për formimin e Qeverisë ose shkuarjen në zgjedhje?! Përtej faktit që veprime të tilla bien ndesh me ligjin, rendi kushtetues dhe logjika parlamentare parashohin që fillimisht votohet Qeveria, e vetëm më pas merren vendime që krijojnë politika të reja, detyrime financiare dhe implikime ndërkombëtare.”

Sipas tij “nxitimi” për t’i votuar këto 9 pika të rendit të ditës së seancës së orës 11:00 tregon se ka shumë pak besim që Qeveria e propozuar nesër do të arrijë të marrë votat e nevojshme.

Ai shton se nëse dështon miratimi i pikave të nesërme do të përdoret si kartë politike gjatë zgjedhjeve.

“I gjithë ky nxitim për të votuar “urgjentisht” buxhetin dhe marrëveshjet, pikërisht para skadimit të afatit për mandatarin e dytë, në fakt shpalos disa mesazhe politike. Së pari, duket se ka shumë pak besim që Qeveria e propozuar nesër do të sigurojë shumicën e nevojshme. Për më tepër, dështimi eventual për miratimin e pikave të nesërme do të tentohet të kapitalizohet si kartë politike gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore. Dhe së dyti, po jepen sinjale se vendi mund të mbetet pa Qeveri të re funksionale edhe përtej muajit mars – kur çështjet buxhetore bëhen realisht emergjente.”