Avionët “e padukshëm” amerikanë dhe rusë sfidojnë njëri-tjetrin në Dubai

Emiratet e Bashkuara Arabe kishin kërkuar të blinin F-35, por negociatat u pezulluan në vitin 2021 për shkak të kushteve të SHBA-ve.

Në Dubai Airshow është zhvilluar një nga demonstrimet më të pazakonta ajrore të viteve të fundit, ku avionët stealth amerikanë dhe rusë u “përballën” në kërkim të kontratave të reja në tregun e mbrojtjes së Lindjes së Mesme, shkruan Bloomberg.

Në njërën anë, Lockheed Martin prezantoi F-35, avionin më të avancuar të flotës amerikane, i cili kushton rreth 100 milionë dollarë për njësi.

Në anën tjetër, korporata shtetërore ruse UAC shfaqi Su-57E, versionin për eksport të avionit rus të gjeneratës së pestë – një model për të cilin ende nuk ka të dhëna të plota të performancës.

Emiratet e Bashkuara Arabe kishin kërkuar të blinin F-35, por negociatat u pezulluan në vitin 2021 për shkak të kushteve të SHBA-ve, përfshirë edhe heqjen e pajisjeve të Huawei nga rrjeti kombëtar i telekomunikacionit.

Sipas Bloomberg, Washingtoni pritet të arrijë një marrëveshje për shitjen e këtij avioni Arabisë Saudite.

Nga ana tjetër, Su-57E nuk është shitur ende për eksport dhe kompania ruse ofron prodhim lokal dhe transferim teknologjie për çdo klient të mundshëm.

Megjithatë, mungesa e të dhënave mbi performancën e avionit e vështirëson vlerësimin e tij nga vendet e interesuara.