Fundi i procesit gjyqësor po afron. Bashkë me të, shumë zyrtarë të Gjykatës Speciale po japin dorëheqje dhe disa të tjerë kanë nisur të shfaqin pakënaqësitë e tyre me këtë institucion.
Dubravko Bolsec, ish-zyrtari i lartë i Prokurorisë së Hagës, i cili punoi rreth 7 vjet në këtë institucion, ka shprehur mendimin se Gjykata Speciale është një zyrë që persekuton të akuzuarit, në këtë rast krerët e UÇK-së.
Ai është pajtuar plotësisht me pohimin se Zyra e Prokurorit të Specializuar, ku ai vetë kishte punuar, është një zyrë që mund të krahasohet me GESTAPON. Gestapo ishte policia sekrete e Partisë Naziste në Gjermani, e cila luajti një rol të rëndësishëm në shtypjen e kundërshtarëve të regjimit dhe në mbajtjen e kontrollit të qytetarëve gjatë periudhës së sundimit të Adolf Hitlerit.
Një qytetar me emrin Joseph Matt komentoi në llogarinë e Dubravko Bolsec në LinkedIn, ku kritikoi ashpër Gjykatën Speciale.
“Gjykata Speciale është një zyrë e GESTAPOS që persekuton të akuzuarit. Prokurorët, gjyqtarët, hetuesit dhe oficerët mendojnë njësoj. Nuk ka palë neutrale në atë gjykatë. Ata synojnë të pastrojnë Serbinë nga akuzat për gjenocid dhe ta shndërrojnë Kosovën, e cila ishte viktimë, në një shtet agresor. Turp!” – ishte komenti i Joseph Matt drejtuar ish-zyrtarit të lartë të Prokurorisë së Hagës, Dubravko Bolsec.
Përgjigjja e tij ishte befasuese.
“Pajtohem plotësisht me ty,” – ishte kundërpërgjigjja e ish-zyrtarit të lartë të Prokurorisë së Hagës, Dubravko Bolsec.
Kush është Dubravko Bolsec?
Ai fillimisht ka punuar për katër vjet në UNMIK. Më pas, nga viti 2006 deri në vitin 2012, ka punuar si Përfaqësues Rajonal i Ambasadorit të SHBA-së për Çështjet e Krimeve të Luftës. Pikërisht në vitin 2012, ai filloi të angazhohej dhe të merrej me çështjen e Kosovës në zyrën e Clint Williamson. Në llogarinë e tij në LinkedIn, ai ka treguar se ka punuar në zyrën e Clint Williamson dhe më vonë në Gjykatën Speciale si Kryetar i Njësisë së Gjuhës / Asistent i Operacioneve nga viti 2012 deri në janar të vitit 2018. Nga korriku 2018 deri në qershor 2019, ai ka punuar si Zyrtar Ndërlidhës Rajonal në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ku ka këshilluar Kryeprokurorin e Hagës për çështjet strategjike dhe operacionale. /Demokracia.com/












