Për herë të parë në Kosovë: ECHW 2025 nis në Prishtinë, ku europianët diskutojnë inteligjencën artificiale, “deepfake” dhe mbrojtjen e të dhënave

Për herë të parë në Republikën e Kosovës, nën patronatin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ka nisur punimet Punëtoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve në Fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale – ECHW 2025.

Këtë vit, ECHW mbledh rreth 70 përfaqësues të autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave nga 23 shtete evropiane, përfshirë Austrinë, Belgjikën, Gjermaninë, Irlandën, Holandën, Norvegjinë, Poloninë, Suedinë, Zvicrën, Hungarinë, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Çekinë, Estoninë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Organizimit të Agjencisë i janë bashkuar gjashtë Komisionerë, udhëheqës të autoriteteve vendimmarrëse për mbrojtjen e të dhënave personale që do të jenë edhe folës në hapjen e punimeve të ECHW. Hapja e punwtorisw do të bëhet nga Komsionerja për Informim dhe Privatësi znj. Krenare Sogojeva Dermaku, për të vazhduar me fjalimet e:

  1. Zdravko Vukić, Nënkryetar i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) dhe Drejtor i Agjencisë Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AZOP),
  2. Mirosław Wróblewski, President i Zyrës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Polonisë (UODO),
  3. Brent Homan, Komisioner i Zyrës së Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave të Guernseyt (ODPA),
  4. Recep Keskin, Komisioner i Autoritetit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Turqisë (KVVK), dhe
  5. Gwendal Le Grand, Zëvendës Shef i Sekretariatit të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB).

European Case Handling Workshop 2025, mbledh ekspertë dhe autoritete vendimmarrëse në nivel Evropian për të adresuar tema që po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e standardeve për mbrojtjen e të dhënave personale, si: përdorimi i kamerave inteligjente dhe të dhënave biometrike në hapësira publike, “deepfake” dhe përmbajtjet e krijuara nga inteligjenca artificiale, mbrojtja e të dhënave të fëmijëve në platformat digjitale, sfidat e “data scraping” dhe shfrytëzimit të të dhënave të qasshme publikisht, si dhe bashkëpunimi ndërkufitar dhe përpunimi i të dhënave shëndetësore në epokën e digjitalizimit.

Organizimi ndërkombëtar i European Case Handling Workshop 2025, shënon një arritje të rëndësishme për shtetin e Kosovës në kuptimin e përkushtimit institucional dhe prezantimit të progresit të arritur në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe rrjedhimisht reflekton forcimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Demokracia.com/