Pothuajse 24 orë më herët para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të thërras për në orën 17:00 mbledhjen e 12 nëntorit, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi e dinte se çka do të ndodhte, më konkretisht e dinte se po bëheshin lëvizje për formimin e një komisioni vlerësues.
Ankesa e paraqitur nga PDK në PZAP kishte alarmuar partinë e kryeministrit në ikje, Albin Kurtit.
Në 11 nëntor, pra një ditë para mbledhjes së KQZ-së që nuk ishte caktuar ende, Krasniqi ishte i ftuar në emisionin e pasdites “60 Minuta” në KTV, ku kishte folur për dyshimet për parregullësi në zgjedhjet për kryetarin e Mitrovicës së Jugut, shkruan Demokracia.

Vetëm një ditë më herët, numërimi i fletëvotimeve në QKN e Mitrovicës së Jugut ishte ndërprerë me urdhër të prokurorit për shkak të dyshimeve të ngritura nga përfaqësues të subjekteve politike që gjatë numërimit kishin vërejtur fletëotime me kode të vendvotimeve të ndryshme.
11 nëntor – Krasniqi: Do të krijohet një komision nga KQZ
Ndonëse agjenda për mbledhjet e KQZ-së nuk caktohet nga anëtarët e KQZ-së, por nga kryetari i instituicionit në bashkëpunim me sekretariatin e KQZ-së, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje e kishte caktuar 24 orët këtë agjendë.
Në emisionin e KTV-së, Krasniqi kishte paralajmëruar formimin e komisionit që do të verifikonte fletëvotmet, kur është pyetur se sa është numri i fetëvotimeve me gabime.
“Me numra nuk e dijmë, sepse këto do të evidentohen pasi që të vijnë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Do të krijohet një komision nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili do të bëjë verifikimin një nga një të gjitha këtyre fletëvotimeve, dengjeve, jo vetëm në komunën e Gjakovës, por ndoshta do të ketë edhe në komuna të tjera”, paralajmëronte Krasniqi.
12 nëntor – KQZ themelon komisionin
Pikërisht ashtu siç kishte paralajmëruar Krasniqi 24 orë më pas veproi edhe KQZ.
Pasditen e 12 nëntorit, KQZ mbajti mbledhje ku u vendos për themelimin e një komisioni për vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të fletëvotimeve në vendvotime për zgjedhjet e raundit të dytë për Kryetar të komunave Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovës.

“Sipas vendimit të KQZ-së, Komisioni do të bëjë vlerësimin dhe verifikimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së tyre në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas pranimit nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve. Po ashtu, puna e këtij komisioni do të jetë në funksion të përgjigjes për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas ankesës së parashtruar në këtë institucion lidhur me zgjedhjet e raundit të dytë për Kryetar të Komunës në Mitrovicën e Jugut”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Aktualisht rasti i fletëvotimeve me gabime në Mitrovicën e Jugut është në Gjykatën e Supreme ku është ankuar Partia Demokratike e Kosovës.
Lexo më shumë:
PDK e çon në Gjykatë Supreme çështjen e zgjedhjeve në Mitrovicë, pasi iu rrëzua nga PZAP











