Sot, Gjykata Supreme njoftoi se ka aprovuar kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës, kundër ZRRE’së. Për këtë ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Kjo e fundit ka deklaruar se ‘’ mënyra e liberalizimit të tregut të energjisë është joligjore’’, gjë të cilën, ka theksuar ajo, e kanë thënë me qindra herë, shkruan Gazeta Express.
Ajo po ashtu ka deklaruar se, sipas saj, liberalizimi është bërë në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore vetëm dhe vetëm për të përfituar tregtarët e energjisë të afërt me qeverinë Kurti.
‘‘Kemi thënë që nga dita e parë, e kemi thënë me dhjetëra e qindra herë, se mënyra e liberalizimit të tregut të energjisë është joligjore. Është bërë në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore vetëm dhe vetëm për të përfituar tregtarët e energjisë të afërt me qeverinë Kurti. Vendimi i Gjykatës Supreme i vërteton të gjitha ato që kemi thënë’’, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka deklaruar edhe se, ‘’hajnia më e madhe që po ndodh është ajo që po bëhet nga mafia energjetike’’.
‘’U bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit që ky vendim të zbatohet në tërësi; ndërmarrjet të kthehen në shërbimin universal të furnizimit me energji elektrike, ndërsa të gjithë vendimmarrësit e këtyre vendimeve joligjore të largohen menjëherë nga institucionet dhe të japin përgjegjësi për secilin cent të shpërdoruar.
E kam thënë se hajnia më e madhe që po ndodh është ajo që po bëhet nga mafia energjetike.
Pyetja është pse spo luftohet kjo mafi nga organet qeveritare?
Përgjigjen e dini të gjithë!’’, ka shkruar ajo.











