Haradinaj: Clarku sot do ta thotë të vërtetën e luftës çlirimtare

Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, sot do të dëshmojë në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Për këtë ditë të madhe, ka folur ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Në emisionin “Kosova Today”, Haradinaj tha se Clarku sot do të thotë të vërtetën e luftës çlirimtare.

“Sot, Clark, por edhe ata që ishin më përpara kanë ardh ta thonë të vërtetën. Ata nuk kanë ardhur për t’i ndihmuar Hashim Thaçit, dhe ata që po akuzohen aty. Ata kanë ardhur për të ndihmuar një opinion që filloi me u ngrit kjo Gjykatë, që ishte më tepër politike, dhe selektive”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj, thotë se ajo e vërtetë që ish-komandanti suprem i NATO-s, dhe të tjerët që e thanë para tij, është në anën e shqiptarëve të Kosovës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.