Shpenzimet e Presidencës kaluan 333 mijë euro (Janar–Nëntor 2024), me 77 udhëtime jashtë vendit

Vetëm një ditë pasi Presidentja Vjosa Osmani doli në media ndërkombëtare për të sqaruar deklaratën e saj mbi “900 bandat kriminale”, duke e cilësuar atë si një gabim të paqëllimshëm që u korrigjua menjëherë, po i rikthehem një dokumenti tjetër zyrtar që lidhet me punën e Presidencës “Raportit të shpenzimeve për periudhën janar–nëntor 2024”. Ky raport, i publikuar më herët, ofron një pasqyrë të kostove të udhëtimeve, akomodimeve dhe aktiviteteve zyrtare të institucionit gjatë vitit të kaluar dhe tani mund të sjellët në vëmendje meqë është pjesë e llogaridhënies së rregullt të një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, shkruan Demokracia.com.

Të dhënat financiare të publikuara tregojnë se gjatë 11 muajve të vitit të kaluar janë shpenzuar gjithsej 333,962.94 euro për udhëtime, akomodime, bileta, dreka, darka dhe aktivitete protokollare. Vetëm për udhëtimet jashtë vendit, të cilat përfshijnë 77 vizita zyrtare, shuma arrin mbi 299 mijë euro, përfshirë Presidenten, këshilltarët dhe delegacionet e posaçme.

Kohë më parë, Zyra e Presidentes ka publikuar raportin e shpenzimeve për periudhën janar–nëntor 2024. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm për udhëtime jashtë vendit, akomodim dhe bileta aeroplani, Presidenca ka shpenzuar mbi 299 mijë euro, ndërsa shuma totale për këtë periudhë arrin në 333,962.94 euro.

Në pamje të parë, vizitat e shpeshta zyrtare, gjithsej 77 udhëtime brenda 11 muajve krijojnë përshtypjen e një dinamike të lartë diplomatike.

Sipas raportit, për akomodim të Presidentes, këshilltarëve dhe të deleguarve të saj janë shpenzuar 114,207.83 euro, ndërsa për biletat e fluturimeve, të gjitha në klasë ekonomike, sipas Zyrës së Presidentes edhe 184,934.50 euro. Në total, 299 mijë euro vetëm për lëvizje ndërkombëtare të një delegacioni që, sipas listës, ka përfshirë deri në 31 persona për akomodim dhe 25 për bileta.

Zyra e Presidentes e arsyeton këtë rritje me çmimet më të larta të biletave të ofruara nga operatori i përzgjedhur nga AQP gjatë vitit 2024, duke theksuar se këto janë kosto jashtë kontrollit të saj.

Në të njëjtën periudhë, Administrata e Presidencës, ish-presidentët dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete kanë shpenzuar 49,736.61 euro, nga të cilat rreth 10,500 euro për bileta dhe akomodim në udhëtime jashtë vendit. Interesante është që kjo kategori ka shpenzuar më shumë për dreka dhe darka zyrtare (19,806.80 euro) sesa për gjithë udhëtimet ndërkombëtare së bashku.

Edhe shpenzimet e karburanteve për këtë kategori  19,421.30 euro nuk duken të vogla, sidomos duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një periudhë relativisht të shkurtër dhe një numër të kufizuar aktivitetesh krahasuar me Kabinetin e Presidentes.

Në kategorinë e organizimeve protokollare, Presidenca ka shpenzuar 48,755.10 euro, përfshirë këtu edhe organizime që lidhen me Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS). Edhe pse ky forum ka për qëllim promovimin e politikave për barazi dhe siguri, shuma e përgjithshme e shpenzimeve mbetet e paqartë, pasi detajet janë publikuar vetëm përmes një vegze të veçantë.

Dihet se institucionet e larta shtetërore kanë nevojë reale për mobilitet, protokoll dhe përfaqësim ndërkombëtar. Askush nuk e konteston këtë. Por kur shpenzimet për udhëtime dhe akomodim tejkalojnë 300 mijë euro në një periudhë njëvjeçare, pritet së të ketë pasur veprime konkrete.

A ka rezultat konkret nga 77 udhëtimet?

Pse delegacionet janë kaq të mëdha në disa raste?

A ka alternativa për kursim, pa e cenuar dinjitetin institucional?

E aq më tepër kur dihet se gjatë vitit të kaluar Kosova nuk ka siguruar asnjë njohje të re shtetërore, e as ndonjë donator të rëndësishëm ndërkombëtar nga angazhimet e Presidentes, çka e bën edhe më të domosdoshme pyetjen se çfarë produkti konkret kanë sjellë 77 udhëtimet e realizuara. /Demokracia.com/