Faustino Asprilla, legjendë e futbollit kolumbian, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Gazzetta dello Sport”, ku ka folur rreth përvojave të tij në botën e futbollit. Po ashtu, ka rrëfyer jetën e tij të re në një fermë ku kultivon kallam sheqeri, që e shet tek qeveria, dhe rrit kuaj.
“Nevio Scala donte të më bënte të vrapoja te Parma, por i thashë: Nuk jam Forrest Gump, luaj futboll. Për mua, seksi është gëzim, martesa ishte një gabim rinor, nuk jam i krijuar për besnikëri”, – rrëfen ish-futbollisti 55-vjeçar.
Asprilla, i cili vari këpucët në gozhdë në vitin 2004, pas një karriere me ekipe si Cúcuta Deportivo, Atlético Nacional, Parma, Newcastle United, Palmeiras, Fluminense, Atlante, Universidad de Chile, Cortuluá dhe Estudiantes de la Plata, tregon episodin e famshëm të negociatave me Pablo Escobar, kreun e kartelit të Medellín, për transferimin e tij te Parma për 2 milionë euro.

“Kështu është shkruar, por unë kurrë nuk kam ditur gjë për këtë. Pablo Escobar padyshim e kishte në zemër Nacional Medellín dhe në atë kohë asgjë nuk bëhej pa pëlqimin e tij…, – zbulon “El Tino”. – Me rrogën e parë bleva 100 çezma ari dhe i dërgova në Kolumbi”.
Me pagën e parë te Parma, ku shënoi 43 gola, sulmuesi nga Tuluá bleu 100 çezma: “I bleva në një qendër tregtare në Parma dhe i dërgova në Kolumbi. Ishin të lara me ar, të mrekullueshme. Miqtë që i morën menduan se ishin flori i pastër. Dhe kështu fitova reputacionin e një djali që ishte pasuruar shumë shpejt”.
Tek Parma, ku nga 1992 deri më 1999 fitoi një Kupë të Italisë, dy Kupa UEFA, një Kupë të Kupave dhe një Superkupë të Europës, ai kujton përplasjet me trajnerin Nevio Scala:
“Ai fliste për taktikë dhe unë nuk kuptoja asgjë. Më duhej topi për t’u argëtuar, për të vrapuar, për të kaluar kundërshtarin. Imagjino sikur të më interesonte formacioni 3-5-2… Një ditë, Scala më kërkoi të vrapoja për gjysmë ore rreth mureve të Cittadella-s. Ia hodha atletet dhe i thashë: Nuk jam Forrest Gump, jam një futbollist. Dhe dola nga dhoma e zhveshjes”.
Raporti i tij me Nevio Scala u prish përfundimisht pas një incidenti jashtë fushe: “U ktheva në Kolumbi, nëna ime kishte ndërruar jetë. Qëndrova disa ditë në Tuluá dhe madje mora pjesë në një festë popullore. Isha pak i dehur, e pranoj, dhe u përfshiva në një sherr rruge.

I rashë një dere autobusi me shkelm, u preva në pulpë dhe përfundova në spital. Kur u ktheva në Parma, mungonin pak ditë për finalen e Kupës së Kupave të vitit 1993 kundër Royal Antwerp. U rikuperova, por Scala deshi të më ndëshkonte dhe më la në stol”.
Faustino Asprilla deklaroi për “Gazzetta dello Sport”: “Jam shumë mirë. Kam një fermë, shes kallam sheqeri tek qeveria kolumbiane dhe përmes një fushate publicitare shes prezervativë. E dini vetë, seksi ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për mua”.
Asprilla nuk është fans i madh i stilit të sotëm të lojës dhe kritikon mungesën e driblimeve: “Shikoj futboll, por të gjithë duken si ushtarë nën urdhrat e trajnerit. Nëse dikush gabon, del jashtë. Më thuaj një lojtar që driblon sot… Më pëlqen Vinicius te Real Madridi, e shoh pak veten tek ai”.
Asprilla shpjegoi pse nuk e përfundoi transferimin te Real Madridi, kur Fabio Capello ishte trajner mes viteve 1996 dhe 1997: “Kur isha te Newcastle, ekzistonte një marrëveshje për transferim. E mbani mend Davor Šuker, që ishte te Real Madridi? Šuker do shkonte te Newcastle, unë te Real Madridi. Trajner ishte Capello, ai tha ‘jo’, nuk më la të shkoja. A jam penduar? Jo, pse duhet? Isha i lumtur te Newcastle, ata më kërkuan mua. Mos vallë shkova dhe trokita në dyert e Real Madridit duke thënë: dua të vij te ju”.
The post Sulmuesi “pa rregulla” që ‘shiti’ Pablo Escobar dhe Capello nuk e deshi te Real Madridi appeared first on Telesport.











