Izraeli modifikon raketat për t’i bërë më efikase ndaj dronëve iranianë

Izraeli ende nuk i ka ndarë këto përmirësime as me aleatët më të afërt, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Izraeli ka kryer modifikime teknike në raketat ajër-ajër AIM-9M Sidewinder, duke i bërë ato më të afta për të goditur dronët kamikazë me rreze të gjatë, si Shahed-136 iranian, raporton Instituti Amerikan FPRI.

Këto dronë janë veçanërisht të vështirë për t’u interceptuar për shkak të përmasave të vogla, profilit të ulët të fluturimit dhe nxehtësisë minimale që lëshojnë.

Raporti, i bazuar në mësimet e nxjerra nga sulmet masive iraniane të 13-14 prillit 2024, ku SHBA dhe aleatë të tjerë ndihmuan forcat izraelite, thekson se versioni modern AIM-9X ishte arma më efektive për mbrojtjen ajrore.

Ndërkohë, AIM-9M i mëparshëm rezultoi shumë më pak i besueshëm për forcat amerikane në interceptimin e dronëve.

Megjithatë, Forca Ajrore Izraelite ka arritur të rrisë ndjeshëm suksesin operacional të AIM-9M falë ndryshimeve të bëra në kërkuesin me infra të kuqe të raketës.

Detajet teknike të modifikimit nuk janë bërë publike dhe Izraeli ende nuk i ka ndarë këto përmirësime as me aleatët më të afërt, përfshirë Shtetet e Bashkuara.