“Edhe ne jemi njerëz”, jetesa në lagjet e ndara të minoriteteve në Kosovë

Shtëpia e oborri i Shefqet Krasniqit janë të mbushur me gjëra të vlefshme, si mobilie të ndryshme, që i ka grumbulluar e i shet për t’u mundësuar jetë sa më të mirë gruas e vajzës së tij.

Por, me gjithë tentimet, Krasniqi nuk e karakterizon si “të kënaqshme” jetën e tij në 13 vjetët prej kur është shpërngulur në lagjen e banuar kryesisht me romë, ashkalinj e egjiptianë në Mitrovicën e Jugut.

Më 13 e 14 mars të 2023-tës, shtëpia e tij u përmbyt pas të reshurave që kishin zgjatur disa orë.

Por, telashet në pragun e shtëpisë s’i vijnë vetëm kur ka fatkeqësi natyrore.

“Çdo tre muaj kemi problem me kanalizim, në banjë na del uji. Kiamet i vjen era shtëpisë”, thotë Krasniqi.

Por, ai shton se intensiteti në ankesa nuk është reflektuar edhe te reagimi nga institucionet komunale.

Për aq sa mban mend, thotë se “shumë pak e hiç” ka pasur investime në këtë lagje. Si nga komuna, ashtu edhe nga qeveria.

Këto pakënaqësi kanë bërë që ai të ëndërrojë për një jetë në ndonjë lagje tjetër për vajzën e tij. Kudo tjetër.

“S’kam qejf ta lë në këtë lagje. Kam qejf të jetë diku ku pastërtia është më e lartë. Kudo që më pranojnë. Unë me shqiptarë s’kam problem se jam rritur me ta”, shton Krasniqi.

Për të, fakti që jeton në një lagje ku ka kryesisht romë, ashkalinj e egjiptianë, ka ndikuar ndjeshëm në jetesën e tij.

Pjesët larg lagjeve ku banon shumica shqiptare e Mitrovicës së Jugut, ai beson se institucionet i kanë pasur larg syve e larg mendjes.

Me këtë pajtohet edhe Jalldyze Isufaj, e cila që nga paslufta jeton në këtë lagje.

Mbeturinat, qentë endacakë, kanalizimet, vërshimet… Ajo ka shumë ankesa për jetën në këtë lagje, mirëpo, së fundi, një ankesë i ka lënë të gjitha të tjerat nën hije.

“Që dy muaj e më tepër jemi pa rrymë. Kurrë nuk vijnë as të na vizitojnë. Na thonë ‘vijmë, vijmë. Bëjmë vizitë’. Në fund, s’vjen kurrkush”, thotë Isufaj.

Përvojat e Krasniqit dhe Isufajt nuk janë jashtë të zakonshmes. Edhe banorë të tjerë të lagjes, me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë, i kanë shprehur të njëjtat shqetësime – se jetesa e tyre nuk përkon me standardin në lagjet e tjera të komunës.

Një nga ta është 25-vjeçari Reshat Behluli, i cili jeton në një shtëpi njëdhomëshe me gruan dhe dy fëmijët e tij.

“Do të doja ta ndryshoja jetën e fëmijëve të mi. Këtu kam lindur, jam rritur. Por, nuk i kam kushtet e mira. Jam në gjendje të bëj gjithçka për evladin tim”, thotë Behluli për REL-in.

Kur Radio Evropa e Lirë vizitoi këtë lagje në fund të muajit tetor, parku i lodrave për fëmijë ishte i shkatërruar.

Disa fëmijë improvizonin duke luajtur me ato që kanë mbetur.

Disa të tjerë ishin angazhuar për të pastruar lagjen.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Komunën e Mitrovicës së Jugut për kushtet e jetesës në këto lagje dhe adresimin e ankesave të banorëve, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Së fundi, shkaku i zgjedhjeve lokale, Mitrovicën e Jugut që e kishte udhëhequr Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, e fitoi Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje.

Shumë pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian në Kosovë përballen me varfëri, nxitur nga niveli më i lartë i papunësisë.

Sipas një hulumtimi të 2022-tës të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), mbi 25 për qind e bizneseve në Kosovë nuk do të ishin të gatshme të punësonin romë, ashkalinj apo egjiptianë në kompanitë e tyre.

Ndërkohë, vetëm 15 për qind e bizneseve kanë thënë se kanë ndonjë të punësuar nga këto komunitete.

Për më tepër, të dhënat e publikuara nga Komisioni Evropian tregojnë se vetëm rreth 50 për qind e pjesëtarëve të komunitetit rom e përfundojnë shkollimin e detyrueshëm nëntëvjeçar në Kosovë.
Përqindja është edhe më e ulët kur merren parasysh vetëm vajzat .

Niveli më i ulët i shkollimit dhe papunësisë, sipas organizatave që merren me të drejtat e këtyre komuniteteve, nxitet nga diskriminimi.

Gëzim Hoti, nga organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE), thotë se një hap drejt një jetese më të mirë do të ishte desegregimi i këtyre lagjeve.

Kjo, pasi që nëpër shumë qytete të Kosovës, në lagjet ku banon një numër i madh i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, nuk banojnë edhe shumë qytetarë të tjerë.

“Kur flasim për ndarje, atë mund ta kuptojmë edhe si segregim”, thotë Hoti.

Hoti ka disa muaj që punon intensivisht drejt përmirësimit të jetesës së banorëve romë, ashkalinj e egjiptianë në komunën e Fushë Kosovës.

Ai thotë se, shkaku që lagjet ku banojnë shumë nga këto komunitete në Fushë Kosovë janë afër qendrës së qytetit, kushtet atje “nuk janë shumë shqetësuese”.

Megjithatë, ankesa ka. Nisur nga uji i pijshëm, që ende nuk u është sjellë këtyre banorëve në shtëpi.

“Ne kemi ujësjellës, por aq është me një erë, kështu që po detyrohemi gjithmonë të shkojmë në stacion për të mbushur ujë me bidonë për të pasur ujë të pijshëm në shtëpitë tona”, tregon Hoti.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Komunën e Fushë Kosovës për këto ankesa, mirëpo nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Edhe atje – si në Mitrovicë të Jugut – pushteti lokal është ndërruar pas zgjedhjeve të fundit lokale. Në këtë komunë, ku me vite pushtetin lokal e ka gëzuar Lidhja Demokratike e Kosovës, tani e ka fituar Lëvizja Vetëvendosje me Valon Prebrezën.

Përveç kërkesës së VOARE-s për desegregim të lagjeve, ata kërkojnë që të kenë edhe investime në infrastrukturë dhe përmirësim të gjithanshëm të kushteve të jetesës për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

“Tani mundohemi të punojmë bashkë, të jetojmë bashkë dhe të ecim përpara bashkë”, thotë Hoti.

Sipas regjistrimit të vitit të kaluar të popullsisë, në Kosovë jetojnë mbi 16 mijë ashkalinj, mbi 10 mijë egjiptianë dhe gati 9 mijë romë.