Paris Hilton përballet me kritika pasi deklaron se ka ndërtuar gjithçka vetë

Paris Hilton po përballet me kritika në internet pasi deklaroi se është një sipërmarrëse që e ka ndërtuar gjithçka vetë.

Trashëgimtarja 44-vjeçare e familjes Hilton e bëri këtë pohim në një intervistë për Sunday Times, duke iu referuar kompanisë së saj 1 miliard dollarëshe, 11:11 Media.

Ajo tha: “Unë jam e vetëkrijuar. Sikur, e kam bërë të gjithë këtë vetë. Askush nuk më ka dhënë asgjë në tërë jetën time”.

Megjithatë, fansat reaguan menjëherë në Reddit, duke vënë në dyshim deklaratat e saj. Një përdorues shkroi: “Nëse nuk do të ishe një Hilton, nuk do të ishe kaq e njohur. Po, bëre emër për veten, por kjo është për shkak të sfondit të pasur dhe emrit të familjes”.

Të tjerë theksuan se ndihma e marrë nga një familje e pasur ndryshon shumë nga përpjekjet e dikujt që duhet të luftojë për çdo gjë nga fillimi, shkruan DailyMail.

Paris gjithashtu foli për marrëdhënien e saj të ngushtë me gjyshin, miliarderin Barron Hilton, duke treguar se ai e kishte inkurajuar gjithmonë: “Paris, ti punon më shumë se çdo CEO që njoh”.

Ajo u bë e famshme në fillim të viteve 2000 me reality show-n The Simple Life dhe që atëherë ka ndërtuar një karrierë biznesi duke lançuar parfume, veshje dhe marka të tjera.

Sot, Paris është CEO dhe kryetare e 11:11 Media, ndërsa ka fituar një bazë të madhe ndjekësish në rrjete sociale dhe ka eksperimentuar si DJ dhe këngëtare.