Njohësit e çështjeve sqarojnë se situata me trajtimin e mbetjeve spitalore në Kosovë mbetet larg standardeve të përcaktuara me legjislacion.
Mbetjet spitalore vazhdojnë të jenë një nga sfidat më të mëdha të sistemit shëndetësor modern në Kosovë, duke përbërë burime të rrezikshme të ndotjes dhe përhapjes së infeksioneve.
Raporti i fundit i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) për periudhën 2023–2024 evidentoi se këto mbetje nuk ndahen dhe nuk trajtohen në mënyrë të veçantë sipas legjislacionit, duke krijuar boshllëqe në menaxhimin e tyre dhe duke rritur rreziqet për qytetarët dhe mjedisin.
Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Asdren Bytyqi, shpjegon për Albanian Post se legjislacioni për mbetjet spitalore ekziston, por zbatimi praktik nuk është i njëtrajtshëm në të gjitha institucionet shëndetësore.
“Në shumicën e institucioneve të mëdha, si QKUK, për shkak të tenderave për menaxhimin e mbetjeve spitalore, zbatohet ndarja e materialeve infektive, kimike dhe farmaceutike. Por në nivelet e kujdesit shëndetësor primar dhe sekondar, shumë shpesh mbetjet vendosen në hapësira të njëjta me mbeturinat e zakonshme”, sqaroi ai.
Sipas Bytyqit, një nga problemet kryesore është mungesa e hapësirave të veçanta për magazinimin e mbetjeve spitalore dhe kontraktimi i pamjaftueshëm i kompanive të licencuara për trajtimin e tyre.
“Një nga problemet kryesore është mungesa e hapësirave të veçanta të magazinimit dhe kontraktimi i pamjaftueshëm i kompanive të licencuara për trajtimin e këtyre mbetjeve. Trajnimi i stafit dhe protokollet e kontrollit nuk kryhen në mënyrë periodike dhe sistematike për të gjithë stafin dhe për të gjitha turnet”.
Më tutje, ai potencoi se të dhënat zyrtare për mbetjet spitalore shpesh janë të paplota, gjë që vështirëson monitorimin dhe inspektimet efektive.
“Të dhënat zyrtare shpesh janë të paplota, duke vështirësuar monitorimin e mbetjeve. Mungojnë inspektime të mjaftueshme për të parë se ku përfundojnë këto mbetje. Po ashtu, buxhetet janë të kufizuara dhe procedurat e prokurimit vonojnë caktimin e kompanive përgjegjëse. Mungon edhe një sistem i qëndrueshëm dixhital i gjurmimit, që do të mundësonte ndjekjen e gjendjes dhe destinimit të të gjitha mbetjeve spitalore”.
Ai sqaron edhe hapat që duhet të ndërmarrë Kosova për t’u përmirësuar në këtë drejtim.
“Është e nevojshme që të standardizohen protokollet e ndarjes në burim, të rritet trajnimi i stafit mjekësor, të kontraktohen më shumë operatorë të licencuar dhe të përfshihen të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, qendror, rajonal dhe lokal. Po ashtu, duhet të ndërtohet një sistem elektronik për menaxhimin dhe raportimin e mbetjeve shëndetësore”, paralajmëroi Bytyqi.
Pasojat e menaxhimit të dobët për shëndetin dhe mjedisin
Ndërkaq, drejtoreshë e organizatës EcoZ, Egzona Shala Kadiu sqaroi pasojat direkte të menaxhimit të dobët të mbetjeve spitalore.
“Një pjesë e mbetjeve spitalore, veçanërisht ato kimike dhe farmaceutike, nuk trajtohen në mënyrë të duhur, duke u hedhur pa ndarje apo pa ndjekur procedura të posaçme. Kjo sjell pasoja të shumëfishta”, thotë ajo.
Ajo sqaron se hedhja e barnave të skaduara, lëngjeve trupore dhe kimikateve në mënyrë të pakontrolluar depërton në ujërat nëntokësore dhe tokë, duke ndikuar direkt në zinxhirin ushqimor dhe ekosistemin, dhe paralajmëron edhe rreziqet për komunitetin lokal.
“Asgjësimi i materialeve në furra metalike pa filtra adekuatë mund të lirojë gazra toksikë dhe ndotës të ajrit. Punëtorët e shëndetësisë dhe punëtorët e mbeturinave mund të ekspozohen ndaj viruseve, baktereve dhe substancave të dëmshme në rast se mbetjet nuk dezinfektohen ose sterilizohen siç duhet”.
“Groposja e mbetjeve patologjike në varreza pa mbikëqyrje të rreptë, edhe pse dezinfektohen me gëlqere, mund të paraqesë rrezik në rast se ujërat sipërfaqësore apo nëntokësore bien në kontakt me këto materiale”.
Në këtë kontekst, ajo pohon se përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve spitalore kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që nis me ndarjen e mbetjeve në burim dhe vazhdon me zgjerimin e kapaciteteve të sterilizimit.
“Aktualisht, ekzistojnë vetëm shtatë sterilizatorë në spitalet rajonale,duhet të zgjerohet ky sistem në të gjitha qendrat shëndetësore dhe të përfshihen edhe institucionet private.Duhet të krijohen procedura të posaçme për menaxhimin e mbetjeve kimike dhe farmaceutike që aktualisht nuk trajtohen siç duhet. Këto mbetje duhet të grumbullohen dhe dërgohen në impiante të licencuara për trajtim të specializuar”.
Gjithashtu, vlerëson se kontrollet institucionale dhe inspektimet duhet të forcohen.
“Ministria e Mjedisit duhet të rrisë inspektimin dhe mbikëqyrjen mbi proceset e trajtimit, përfshirë raportimin periodik nga spitalet dhe kompanitë e kontraktuara Përdorimi i impianteve moderne për trajtim termik ose plazmatik të mbetjeve, me filtra të avancuar për mbrojtjen e ajrit dhe ujit, do të reduktonte ndjeshëm ndotjen”, sqaron Kadiu.
Sipas raportit të AMMK-së, supozohet se mbetjet spitalore hidhen apo menaxhohen në mënyrë jo të duhur. Sa i përket mbeturinave farmaceutike, përfshirë medikamentet citostatike, ato deponohen në sasi të konsiderueshme në depo qendrore në Prishtinë, ndërsa një pjesë ruhet edhe në spitalet rajonale.
Një pjesë e mbetjeve, kryesisht barnat me afat të skaduar dhe suplemente të ndryshme, asgjësohen në furra për shkrirjen e metaleve nga kompani të certifikuara me leje mjedisore, por praktika ndryshon dukshëm nga një institucion në tjetrin.
Ndërkaq, një tjetër grup i mbeturinave përbëhet nga mbeturinat patologjike, si placenta, embrione, amputime, lëngje trupore dhe të tjera, të cilat qendrat spitalore i trajtojnë përmes kompanive të kontraktuara.











