Stërvitjet vijnë në një kohë kur SHBA ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në rajon, përfshirë ardhjen e fundit të aeroplanmbajtëses gjigante “Gerald Ford”.
Presidenti venezuelian Nicolás Maduro kritikoi ashpër këtë fundjavë stërvitjet e reja ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Trinidad dhe Tobagon, duke i cilësuar ato “të papërgjegjshme” dhe provokuese.
Manovrat e përbashkëta, që zhvillohen nga e diela deri të premten, janë të dytat brenda më pak se një muaji mes Washington-it dhe aleatit të tij të vogël ishullor, fqinj i Venezuelës.
Sipas Maduros, qeveria e Trinidad dhe Tobagos “i ka vënë në dispozicion ujërat e saj përballë shtetit venezuelian Sucre për stërvitje që pretendohen kërcënuese ndaj një republike si Venezuela, e cila nuk lejon askënd ta kërcënojë atë”.
Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij në lindje të vendit të organizojnë një “vigjilencë dhe marshim të vazhdueshëm”. duke kërkuar “mobilizim me frymë patriotike për t’u thënë: ‘Largohu, anije imperialiste!’”.
Megjithatë, Maduro kërkoi kujdes që popullsia “të mos bjerë pre e provokimeve”.
Stërvitjet vijnë në një kohë kur SHBA ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në rajon, përfshirë ardhjen e fundit të aeroplanmbajtëses gjigante “Gerald Ford”.
Më herët, një shkatërrues amerikan ishte ankoruar në Trinidad dhe Tobago për trajnime të tjera që Venezuela i cilësoi po ashtu si provokim.
Që prej shtatorit, SHBA-të kanë kryer sulme ajrore në brigjet e Amerikës Latine kundër anijeve të prezantuara si pjesë e rrjeteve të trafikut të drogës – pretendime që nuk janë shoqëruar me prova.
Këto goditje kanë shkatërruar të paktën 21 anije në 20 sulme në ujërat ndërkombëtare, duke lënë të paktën 80 të vrarë, çka ka rritur ndjeshëm tensionet në rajon, veçanërisht me Venezuelën.
Presidenti Donald Trump akuzon Nicolás Maduron se drejton një kartel, ndërsa drejtësia amerikane ofron një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij.
Caracas-i pretendon se Washington-i po përdor luftën kundër drogës si justifikim për të synuar ndryshimin e regjimit dhe për të vënë dorë mbi burimet e naftës të vendit.











