Java: Çmim i fryrë, shkelje procedurash e mall që mungon – brenda aktakuzës që rëndon mbi Rozeta Hajdarin

Skandali i rezervave shtetërore u rikthye në qendër të vëmendjes këtë javë me publikimin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale. Dokumenti, i mbushur me detaje tronditëse, shpalos një sërë akuzash ndër më të rëndat për keqpërdorim dhe vendimmarrje të dyshuar që ka cenuar drejtpërdrejt interesin publik.

Dosja e Prokurorisë përshkruan me detaje një zinxhir vendimesh të ndërmarra jashtë çdo procedure ligjore, që dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e vendit me gati 3 milionë euro përmes marrëveshjeve të dyshimta me kompani turke dhe polake.

Në qendër të akuzave qëndrojnë ministrja në detyrë e Tregtisë Rozeta Hajdari, ish-sekretari Irfan Lipovica, drejtori i Rezervave Shtetërore Hafiz Gara dhe ndërmjetësi i fuqishëm Ridvan Muharremi. Sipas aktakuzës, këta zyrtarë kanë tejkaluar kompetencat, kanë shmangur qëllimisht procedurat e prokurimit publik dhe kanë krijuar një terren të favorshëm për dy kompani të huaja, duke lënë shtetin pa mallrat e paguara dhe me faturë të majme për t’u shpjeguar.

“Në periudhën kohore shkurt-mars të vitit 2022 në Prishtinë, Rozeta Hajdari, në pozitën e ministres, Irfan Lipovica, në pozitën e zëvendëssekretarit dhe Hafiz Gara në pozitën e drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, që të gjithë në cilësinë e personave zyrtarë në kuadër të MINT, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Kosovës, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare si dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ngase në kuadër të mjeteve buxhetore të ndara nga Qeveria e Kosovësn ë shumën prej 10 milionë euro, nuk i kanë kryer detyrat e domosdoshme përkitazi me procedurën e blerjes së mallrave të rezervës shtetërore të Kosovës për vitin 2022, konkretish produktin e grurit, vajit dhe sheqerit, për faktin se e kanë shmangur procedurës së hapur të prokurimit publik siç është përcaktuar në nenin 19 dhe 20 të Ligjit për Rezervat Shtetërore…” – thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

Në vitin 2022, kur çmimet e ushqimeve ishin rritur dhe paniku nga lufta në Ukrainë kishte goditur tregjet globale, Ministria e Tregtisë kishte marrë nga Qeveria plot 10 milionë euro për sigurimin e rezervave shtetërore. Por, sipas Prokurorisë, zyrtarët përgjegjës nuk hapën garë publike, nuk respektuan ligjin dhe as nuk i njoftuan institucionet mbikëqyrëse. Në vend të kësaj, ata përdorën një procedurë të negociuar në mënyrë të jashtëligjshme, duke e kanalizuar tenderin drejt kompanisë turke “Yafe Turizm” dhe asaj polake “Xanto”, të lidhura përmes ndërmjetësimit të Ridvan Muharremit.

“Duke mos përmbushur detyrat zyrtare, me datë 17.03.2022, pa publikim të shpalljes publike, dheduke u bazuar në procedurë të kundërligjshme me negocim, e zhviluar ndërmjet të pandehurve Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Tomas Tokarski, sipas sygjerimeve ndërmjetësimit, dhe ndihmës së të pandehurit Ridvan Muharremi, ka nënshkruar kontratë, me këtë operatorë ekonomikë për furnizim me vaj në sasi 200 mijë litra, dhe sheqer në sasi 120 mijë kilogramë, me çmim të përgjithshëm 274 mijë e 400 euro

“Më pas e pandehura Rozeta Hajdari, në koordinim të plotë edhe me të pandehurin Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, duke mos përmbushur detyrat zyrtare, ka vazhduar me shkelje të radhës, për blerjen e grurit në emër të MINT sipas kërkesës së Ridvan Muharremit ka nënshkruar aneks kontratën për furnizim me grurë, përmes së cilës MINT ka marrë për obligim shpenzimet e transportit të grurit në vlerë prej 295 mijë euro”, thuhet në aktakuzë më tej, ndër të tjera.

Kontrata për blerjen e 10 mijë tonëve grurë u nënshkrua me çmim të fryrë, ndërsa më vonë Hajdari e nënshkroi edhe një aneks-kontratë të dytë prej 295 mijë euro për transportin, pavarësisht se një gjë e tillë tashmë parashihej në kontratën bazë. Për më tepër, pagesat u kryen 100% në avans, gjë që bie ndesh me ligjin e buxhetit dhe rregulloret financiare të shtetit.

Por skandali është shumë më masiv. Sipas aktakuzës, kompania turke nuk e përmbushi kontratën, duke sjellë gati 59 tonë grurë më pak, ndërsa kompania polake nuk solli asnjë litër vaj dhe asnjë gram sheqer. Pra, shteti pagoi miliona, ndërsa produktet për të cilat u bë pagesa nuk u dorëzuan kurrë

Pjesa më alarmante e aktakuzës lidhet me ndërhyrjen e Ridvan Muharremit, person privat pa asnjë funksion publik e pa certifikim sigurie, i cili sipas hetimeve ka pasur qasje të plotë në proces. Ai komunikonte drejtpërdrejt me ministren Hajdari, udhëzonte zyrtarët se sa tonë vaj e sa grurë duhet të bliheshin, kërkonte kontrata dhe madje merrte edhe plane të rezervave shtetërore nëpërmjet ËhatsApp-it – një kanal krejt i pambrojtur për informacione të klasifikuara. Nëpër komunikime, të cilat Prokuroria i ka sekuestruar, zyrtarët e ministrisë e tratonin si autoritet të lartë, ndërsa disa besonin se ai ishte këshilltar i ministres. Prokuroria thotë se ai në fakt ka qenë “personi kyç” që e ka drejtuar gjithë operacionin.

Sipas dokumentit, për të përjashtuar konkurrencën dhe për të favorizuar kompanitë e përzgjedhura, nga operatorët vendorë u kërkuan kritere të pamundura – si sigurimi i ekzekutimit prej 10% të vlerës totale të kontratës – një kusht që më pas u hoq kur u shpall fituese kompania turke. Për më tepër, një kompani vendore, “M&Sillosi”, kishte shprehur gatishmëri të furnizonte shtetin me grurë pa shpenzime transporti dhe brenda afatit, por ajo u injorua plotësisht.

Në aktakuzë përshkruhet edhe një atmosferë frike dhe presioni brenda Ministrisë së Tregtisë. Dëshmitarë të shumtë tregojnë se ishin kërcënuar, ofenduar dhe nënshtruar presioneve të drejtpërdrejta nga ministrja Hajdari për të mos kundërshtuar procesin dhe për të mos ngritur shqetësime ligjore.

Megjithë valën e provave të paraqitura, Rozeta Hajdari ka zgjedhur të sulmojë Prokurorinë Speciale, duke e quajtur aktakuzën produkt politik dhe duke pretenduar se veprimet e saj ishin ndërmarrë për “ruajtjen e sigurisë kombëtare”.