Dëshmitë në Hagë minojnë narrativën e Speciales

Njohësit e çështjeve të drejtësisë thonë se dy dëshmitë e fundit në Speciale kanë përforcuar tezën e mungesës së strukturës dhe zinxhirit komandues të UÇK-së.

James Rubin, Paul Williams, John Duncan, James Covey, Christopher Hill, Michael Durkee dhe Wesley Clark janë shtatë dëshmitarët të cilët janë thirrur nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të dëshmuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) për krimet që pretendohet se i kanë kryer ish-krerët e UÇK-së.

Gjatë kësaj jave në Speciale ka dëshmuar ish-diplomati amerikan Christopher Hill dhe ish-këshilltari politik i Wesley Clarkut, Michael Leroy Durkee. I fundit që do të dëshmojë për këtë rast është gjenerali amerikan, Wesley Clark. Të gjithë dëshmitarët mbrojtën luftën e UÇK-së, duke thënë se objektivi kryesor i saj ishte arritja e pavarësisë së Kosovës.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë për Albanian Post se dy dëshmitë e kësaj jave – ajo e Hillit dhe Durkee-së – janë të një rëndësie të madhe për tezën e mbrojtjes.

Avokati i licencuar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, sqaron për AP se këta dëshmitarë janë dëshmitarë okularë dhe shumë kredibilë për të vërtetuar faktet me relevancë për procedurën penale.

“Teza e mbrojtjes i kundërvihet asaj të prokurorisë, e cila mban qëndrimin se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur kontroll efektiv mbi të gjitha njësitet dhe zonat operative. Dëshmitarët e mbrojtjes dëshmuan se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur mundësi objektive të ketë kontroll efektiv mbi njësitet e UÇK-së, sepse shkalla e organizimit të saj nuk ka qenë e atij niveli sa që të ushtrojë kontroll efektiv në njësitet dhe zonat operative të UÇK-së”, thotë Qerkini për AP.

Ngjashëm me Qerkinin, edhe avokati Ardian Bajraktari thotë se dëshmia e Hillit e përforcoi edhe më shumë tezën e mungesës së strukturës dhe zinxhirit komandues të UÇK-së, të cilën e kishte paraqitur qartë edhe Rubini.

“Përmes dëshmisë së tij, z. Hill, në mes tjerash, paraqiti vështirësitë në drejtim të komunikimit që ata kanë pasur, si rezultat i mungesës së strukturës dhe zinxhirit komandues, gjë që vetëm sa e forcon pikëpamjen e kundërt me atë që pretendon Prokuroria. Këto pikëpamje besoj se do të përforcohen edhe më shumë nga dëshmia e gjeneralit Clark”, thotë Bajraktari për Albanian Post.

Ai shton se këto deklarime dhe dëshmi jo vetëm që shkojnë në funksion të mbrojtjes, por para së gjithash shkojnë në funksion të konstatimit të së vërtetës.

Po ashtu, edhe njohësi i çështjeve të drejtësisë, Asdren Bytyqi, dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes i konsideron shumë të rëndësishme.

Bytyqi përmend dy perspektiva që sipas tij janë thelbësore.

“E para, sepse ata në kohën kur krerët e luftës si udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dyshohen se kanë kryer krime lufte, kanë qenë përfaqësues të lartë të politikës së jashtme amerikane në çështjen e Jugosllavisë dhe luftës në Kosovë. Andaj, së pari, janë persona relevantë që përfaqësojnë këndvështrimin dhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kohë, lidhur me UÇK-në dhe udhëheqësit e saj”, shprehet ai për Albanian Post.

Ai thotë se të gjitha dëshmitë e dëgjuara dërgojnë në përfundimin se lufta e UÇK-së nuk ka qenë e organizuar.

“E dyta është se dëshmia e tyre është kredibile dhe e fuqishme, sepse tregon vetë perspektivën e hetimeve të SHBA-së lidhur me këto çështje të supozuara, të cilat vijnë me një konstatim të njëjtë se lufta e UÇK-së nuk ka qenë luftë e organizuar me qëllim të vrasjes, torturimit dhe eliminimit, apo formave të tjera të krimeve të luftës”.

“UÇK-ja nuk e ka pasur fuqinë e nënshtrimit dhe kontrollit mbi secilin vendim dhe veprim të komandantëve të zonave të caktuara, ngase veprimi i tyre ka qenë politik dhe veprimi i udhëheqësve të UÇK-së ka qenë i koordinuar politikisht me SHBA-të”.

Clark do të nisë dëshminë të hënën në Speciale, nga ora 12:00. Ai është dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit. Dëshmia e Clark pritet të zgjasë deri të mërkurën më 19 nëntor 2025, dhe pas saj do të mbahet edhe një konferencë për ecurinë e çështjes.

Dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë të periudhës së luftës në Kosovë mund të jenë element përcaktues për të vërtetën e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke sfiduar narrativën e Prokurorisë së Specializuar, sipas së cilës UÇK-ja ka pasur një strukturë qendrore të konsoliduar që ka urdhëruar vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë.

Katër ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa qëndrimi i tyre pesëvjeçar në Hagë është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, së fundmi është zhvilluar edhe një protestë në Hagë.