Mediumi serb “N1”, ia ka kujtuar presidentit serb një deklaratë të dhënë një ditë pasi Siria njohu Republikën e Kosovës si shtet, e përmes të cilës Aleksander Vuçiq paralajmëronte “një lajm të gëzueshëm për Kosovën”, transmeton Express.
Vuçiq kishte deklaruar me datën 30 tetor, se në periudhën e ardhshme dhjetë ditore do të kishte ndonjë zhvillim.
“Në 10 ditët e ardhshme, do të kemi diçka për t’i bërë ata të lumtur. Kjo është një maratonë, jo një garë 50 metrash. Dhe duke marrë parasysh se kundër kujt po garojmë, po ia dalim mbanë mirë”, kishte deklaruar Vuçiç më 30 tetor në Samarkand.
Megjithatë “N1”, kujton se kanë kaluar dhjetë ditët e përmendura nga Vuçiq dhe nuk ka ndodhur asgjë.
“Duke reaguar ndaj njohjes nga Siria, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç njoftoi në fund të tetorit se edhe Serbia do të kishte “diçka për t’i bërë të lumtur”, por kanë kaluar 10 ditë dhe “surpriza” e paralajmëruar e Vuçiçit ende nuk ka mbërritur”, shkruan N1.
Vuçiç duke komentuar njohjen e Kosovës nga Siria kishte thënë gjithashtu në atë kohë se njohja e Sirisë ishte e pritshme, sepse “ata sillen ashtu siç u është urdhëruar”.










