Udhëheqësi amerikan u shpreh se kërkesa saudite është e konsiderueshme.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se po shqyrton një marrëveshje për t’i shitur Arabisë Saudite avionë luftarakë F-35 të Lockheed Martin, raporton Reuters.
Udhëheqësi amerikan, duke folur me gazetarët në bord të Air Force One, u shpreh se kërkesa saudite është e konsiderueshme.
“Ata duan të blejnë shumë avionë”, tha Trump. “Po e shikojmë këtë. Më kanë kërkuar ta shqyrtoj. Duan të blejnë shumë ‘35’, madje edhe më shumë se kaq, avionë luftarakë”.
Marrëveshja e mundshme vjen në prag të vizitës së Princit të Kurorës Mohammed bin Salman në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme, ku priten nënshkrime marrëveshjesh ekonomike dhe të mbrojtjes.
I pyetur për takimin, Trump tha se është “më shumë se një takim, ne po e nderojmë” Arabinë Saudite.
Ai përsëriti gjithashtu shpresën se Riadi do t’i bashkohet së shpejti Marrëveshjeve të Abrahamit, ndonëse Arabia Saudite deri më tani ka refuzuar normalizimin me Izraelin pa një rrugë të qartë drejt shtetësisë palestineze.
Ndërkohë, sipas New York Times dhe burimeve që citojnë një raport të inteligjencës së Pentagonit, ekzistojnë shqetësime serioze për rrezikun që teknologjia e F-35 mund të përfundojë në duar të Kinës nëse shitja finalizohet.










